Afganistan, shpallet 1 ditë zie kombëtare

04/05/2014 00:00

Qeveria afgane ka shpallur një ditë zie kombëtare për qindra personat e vdekur nga një rrëshqitje masive e dherave të një mali, që mbuloi fshatin e tyre të premten.

Guvernatori i provincës së Badakhshan-it, Shah Waliullah Adib, tha për BBC se tashmë është shuar edhe shpresa për të mbijetuar, ndërkohë që mbi 2000 persona besohen të jenë “varrosur” në shtëpitë e tyre. Zyrtarët i dhanë fund kërkimeve për të mbijetuar ditën e shtunë.

Fadromat nuk mund të përdoreshin në fshatin Ab Barik, për shkak se nuk mund të arrinin në vendngjarje. Korrespondenti i BBC thotë se nuk besohet të ndërmerret ndonjë përpjekje serioze për të rikuperuar trupat.

Të paktën 2000 persona kanë qenë në shtëpitë e tyre në luginë, kur një pjesë e malit pranë saj u shkëput dhe mbuloi luginën me gurë e dhera. Ndërkohë, rreth 600 persona të tjerë janë shpallur të zhdukur, pasi nxituan të kontribuonin në përpjekjet për shpëtimin e tyre, por u zunë nga një rrëshqitje e dytë.

Përpjekjet fillestare të banorëve të zonës për të gërmuar me lopata në baltën ende të butë u braktisën shumë shpejt. Edhe ata qindra banorë që mundën t’i mbijetonin fatkeqësisë kaluan natën e dytë në qiell të hapur, edhe pse tashmë kanë mbërritur tenda, batanije dhe ushqimet bazë në zonë.

“Ne nuk mund të vazhdojmë më operacionet e kërkim-shpëtimit, pasi shtëpitë janë tashmë disa metra nën baltë”, tha Adib. “Do të lutemi për viktimat dhe do ta kthejmë zonën në një varrezë masive”.

Top Channel