Uruguaji publikon skemën e marijuanës

03/05/2014 00:00

Autoritetet në Uruguaj kanë publikuar skemën se si marijuana do të prodhohet dhe shitet në rrugë ligjore në vend.

Farmacitë e liçencuara do të shesin lëndën narkotike me më pak se 1 dollar grami, me konsumatorët që do t’u lejohet të blejnë 40 gramë në muaj.

Projekt/ligji saktëson se çdo shtëpi mund të mbjellë deri në 6 rrënjë kanabis dhe se marijuana mund të konsumohet në të njëjtat hapësira sikurse duhani.

Vitin e kaluar Uruguaji u bë i pari vend në botë që legalizoi rritjen, shitjen dhe konsumimin e marijuanës. Pr/ligji i propozuar nga presidenti Jose Mujica pritet të hyjë në fuqi në fillim të javës së ardhshme.

Një zyrtar i lartë i qeverisë u tha gazetarëve të premten se një gramë marijuanë do të kushtojë nga 20 deri në 22 pesos, ose nga 0.85 në 0.95 dollarë amerikanë.

Diego Canepa tha se qeveria pritet të nisë procesin e liçencimit për kompanitë e interesuara në rritjen e bimës narkotike brenda 15 ditësh.

“Nga fundi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit, shitja e marijuanësh do të jetë e mundur në vend përmes farmacive”, deklaroi Canepa.

Qeveria vlerëson se kërkesa aktuale në Uruguaj për marijuanë është mes 18 dhe 22 tonelatave, që barazvlerësohet me rreth 10 hektarë plantacione me kanabis.

Përdorimi i saj do të lejohet në shumicën e hapësirave publike ku përdoret edhe duhani, por jo në ambjente pune. Ndërsa shoferët që kapen duke tymosur teksa drejtojnë makinën do të bëhen subjekt i të njëjtave sanksione që parashikohen për duhanin dhe alkoolin.

Top Channel