
Të paktën 12 persona ka mbetur të vdekur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të një makine bombë në kryeqytetin nigerian, Abuja gjatë së enjtes.
Shpërthimi ka ndodhur në periferi të Nyanya, pranë zonës ku disa ditë më parë u vranë 70 persona nga një sulm i ngjashëm.
Dëshmitarët thanë se shpërthimi ndodhi pranë një pike kontrolli të policisë. Deri tani asnjë grup terrorist nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Terroristët e Boko Haram thanë se ishin ata autorët e sulmit të 14 Prillit, por deri tani nuk kanë marrë autorësinë e sulmit të së enjtes.
BBC raporton se zona është e përbëra nga popullsi me përkatësi fetare të ndryshme dhe ende nuk janë të qarta arsyet pse është kthyer në shënjestër sulmesh.
Dëshmitarët thanë se makina sapo ishte parkuar dhe drejtuesi i saj ishte larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Zëdhënësi i policisë Frank Mbah deklaroi se 12 persona kanë mbetur të vdekur dhe shumë të tjerë janë plagosur.
Sulmet e terroristëve të Boko Haram kryesisht janë kryer në verilindje të Nigerisë, por pas sulmit të 14 Prillit është shtuar frika për zgjerimin e tyre.
“Ne jemi në qytetin tuaj, por ju nuk e dini se ku ndodhemi”, kishte thënë Abubakar Shekau, lideri i Boko Haram pas sulmit të Prillit.
Më shumë se 1500 civilë të pafajshëm janë vrarë nga Boko Haram gjatë vitit të fundit.
Top Channel