
Bisedimet e filluara mes subjekteve politike në ambientet e Ambasadës Amerikane për të arritur kompromis rreth krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe vazhdimit të vendeve të rezervuara, sipas analistëve politikë do përfundojnë me marrëveshje.
Analisti Naim Rashiti mendon se në takimet e radhës, palët do të pajtohen edhe për votimin e FAK-ut në Kuvend, por dhe do të gjejnë një variant për të vazhduar edhe për një mandat vendet e rezervuara për deputetët e minoriteteve.
“Mendoj se liderët politikë do të arrijnë një marrëveshje dhe do të shkohet drejt formimit të Forcave të Armatosura, si dhe do të gjejnë kompromis për ulëset e rezervuara. Mendoj se këto bisedime nuk është dashur të bëhen në ambasadë”, thotë Rashiti.
Edhe analisti Astrit Gashi pret që bisedimet të rezultojnë me marrëveshje, por sipas tij, në këto takime nuk ka ende një qartësi se kush do të lëvizë nga pozicionet.
Sipas Gashit, nëse kryetari i LDK-së pranon që deputetët e tij t’i japin votën pro ndryshimeve kushtetuese për vendet e rezervuara, kjo do të dëmtojë partinë më të madhe opozitare.
“Në politikën e Kosovës është shumë problem të parashikosh sepse vazhdimisht ndodhin të papritura. Megjithatë, mendoj se takimet e nisura mund do të prodhojnë një marrëveshje për Forcat e Armatosura, ndërsa për vendet e rezervuara nuk e di se si mund t’ia bëjnë”, shprehet Gashi.
Me ndërmjetësimin e Ambasadës Amerikane dhe Zyrës së Bashkimit Evropian, krerët e partive politike po zhvillojnë bisedime për të gjetur një marrëveshje për të votuar të hënën në Kuvend ndryshimet kushtetuese për formimin e FAK-ut dhe kompromisin eventual për vazhdimin e vendeve të rezervuara.
Kjo marrëveshje e liderëve do të çojë edhe deri tek shpërndarja e Parlamentit, si dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.
Top Channel