PD: Zyrtari i INUK grabit pronat

30/04/2014 00:00

Partia Demokratike denoncoi të mërkurën atë që e cilëson, si një rast
banditesk të një zyrtari të INUK, i cili duke shfrytëzuar postin,
refuzon të paguajë vilën që ka blerë në një fshat turistik në Golem dhe
madje pushton edhe token e pronarit dhe asnjë strukturë shteti nuk
reagon, me gjithë denoncimet që ka bere pronari.

“Historia është kjo. Fatmir Musaj ka ndërtuar një fshat turistik. Shefi i INUK-ut të Edi Ramës ka blerë më parë aty një vilë.  Jo vetëm që nuk ia ka shlyer të gjithë pagesën investitorit të fshatit tursitik, por tani që ka marrë detyrën e rëndësishme, i thotë pronarit se ka ndërmend t’i marrë edhe parcelën ngjitur me vilën e tij, ende të papaguar. Dhe ashtu bën, e rrethon, e betonon, dhe e bën të tijën. Investitori ankohet në polici. Ankohet tek INUK. Ankohet kudo, po nuk gjen zgjidhje. Punimet vazhdojnë.  Pronari i tokës ka bërë kallzim në Prokurori. Partia Demokratike e denoncon këtë akt banditesk e të frikshëm të marrjes së pronës me dhunë, nga një përfaqësues i shtetit, duke abuzuar me postin dhe lidhjet qeveritare që gëzon”, deklaroi deputeti Keltis Kruja.

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë që të hetojë menjëherë dhe të vërë para përgjegjësisë këtë shef të INUK-ut të Edi Ramës, pasi sipas saj, ky është një precedent i rrezikshëm për Shqipërinë dhe një këmbanë alarmi për mungesën e sigurisë juridike, që tregon se qytetarët janë krejt të pambrojtur nga ligji, nga shteti, dhe se në Shqipëri me ndyshen Rama-Meta është instaluar rregulli i xhunglës.

Vetëm pak orë më parë ka reaguar zyrtari i akuzuar Alket Hyseni, i cili ka sulmuar PD për shpifje dhe ngritjen e akuzave të paqëna që cënojnë imazhin e tij dhe të qeverisë. Për zotin Hyseni, akuzat e ngritura ndaj tij janë gënjeshtra, ndërkohë që e vërteta qëndron ndryshe.

“Prona për të cilën pretendohet zaptimi është tokë shtetërore e blerë prej meje në vitin 2012, kur vetë këta zotërinj ishin në pushtet”, thotë Hyseni. Në një deklaratë shpërndarë mediave, ai thekson se, edhe legalizimi e regjistrimi në ZRPP Kavajë është bërë po nga ish-zyrtarë të PD në vitin 2013.

Zoti Hyseni e ka shoqëruar reagimin e tij edhe me dokumentacionin përkatës të legalizimit të pronës. Ai shton se PD po merr në mbrojtje një person me preçedentë penalë nga gjashtë shtetas të ndryshëm.

Ndërkohë, vetë ai e ka paditur zotin Musaj për kanosje dhe shkatërrim prone dy javë më parë, çka ka bërë sipas tij që të regjistrohet edhe proçedimi penal nga policia e Kavajës.

Top Channel