Legalizimet, opozita kundër ligjit të ri

28/04/2014 00:00

Ish-ministri demokrat i financave Ridvan Bode paralajmëroi se ligji i ri i legalizimeve që ka përgatitur qeveria e majtë mund ta zhysë vendin në krizë të rëndë financiare.

“Diferenca e cmimit të shpronësimeve midis asaj që qeveria do të vendosë për këta që do të paguajnë legalizimin dhe aq sa u njeh ligji i kthimit dhe kompensimit të pronave është shumë e madhe. Në këtë mënyrë buxheti ndodhet në një risk shumë të madh, në riskun që të gjithë këta pronarë që kanë një vendim shpronësimi nga qeveria, të shkojnë në gjykatë dhe të kërkojnë paratë një më një të vendimit të shpronësimit, sepse kështu thotë ligji, kështu thotë Kushtetuta, ndërkohë që qeveria nuk ka kundër part asnjë prej këtyre parave për të bërë shpronësimin”, deklaroi Bode.

Zoti Bode thotë se ky rrezik buron ngaqë me ligjin e ri qeveria devijon 30 për qind të parave që mblidhen nga legalizimet jashtë Fondit të Kompensimeve. Por Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni tha se qeveria ka ndërhyrë në disa ligje që bëjnë të mundur kompensimin e plotë të pronarëve, pa vënë financat në rrezik.

“Do të kompensohen 100 për qind pronarët dhe për këtë të jeni të bindur. Nuk është ky ligji që sjellim sot, i vetmi ndryshim sa i përket procesit të legalizimit. Është një paketë ligjore”, tha Gjermeni.

Anastas Angjeli i ka kujtuar opozitës se është ajo shkaktarja për situatën kaotike të legalizimeve duke iu kërkuar deputetëve të saj të mos paragjykojnë zgjidhjet që po ndërmerr qeveria.

Anasatas Angjeli, deputet i PS: Na gjykoni kur të dalë rezultati i kësaj pune. Ky është paragjykim dhe është me keqdashje.

Igli Cara, deputet i PD-së: Ka qenë një nga proceset tona për të cilët nuk mund të lavdërohemi, por ama në asnjë moment nuk gënjyem shqiptarët për legalizime falas. Perceptimi popullor ishte sepse nuk mund të premtonim dicka që nuk e mbanim dot.

Ministrja Gjermeni deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se ndryshimet e reja ligjore do ta përshpejtojnë procesin e legalizimeve dhe premtoi se brenda mandatit të parë qeveria do të ketë përfunduar pjesën më të madhe të tyre.  

Top Channel