
Pavarësisht buzqëshjeve të rastit e shtrëngimit të duarve, seminari “Inteligjenca dhe Demokracia” që nisi të hënën në një nga ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes ka diskutuar gjatë për sekretet dhe shërbimet inteligjente, por referencat dhe nënkuptimet duket sikur drejtoheshin vetëm tek një nga të pranishmit, drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror.
“Kur flasim për shërbime të inteligjencës, neve menjëherë na shkon mendja tek sekreti. Kështu që sfida kryesore që shfaqet, apo që kërkon zgjidhje, është si t’i orientojmë shërbimet apo organizmat që merren më inteligjencën që të respektojnë sistemin demokratik”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.
Ndërsa ambasadori i SHBA në Tiranë, Alexander Arvizu gjatë fjalës së tij theksoi se roli i shërbimeve inteligjente dhe mbikëqyrja parlamentare janë një çështje mjaft delikate dhe se sekretet nuk duhen bërë objekt i debatit publik.
“Dua të theksoj se sa e rëndësishme është zhvillimi i një marrëdhënieje pune të fortë dhe të frytshme mes degëve të qeverisjes, siç është legjislativi dhe ekzekutivi. Si pjesë e kësaj marrëdhënieje dega ligjvënëse ka detyrimin të shkruajë ligje, të miratojë fonde për aktivitetet qeveritare dhe gjithashtu të ofrojë mbikëqyrje që këto fonde dhe aktivitete të zbatohen siç duhet”, deklaroi Arvizu.
“Ekzekutivi ka detyrimin të zbatojë ligjet ashtu siç janë shkruar dhe të mbrojë njerëzit përmes punës së përditshme të qeverisë. Kur flasim për elementë përbëres të inteligjencës, është shumë sensitive, sepse kuptohet fare mirë se sa sensitive janë materialet që diskutohen gjatë seancave të komisionit. Këto materiale nuk duhet të dalin në publik”, saktësoi ambasadori.
Përveç kreut të Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika, në seminar ishin të pranishëm edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Jeronim Baze dhe atashehë ushtarakë të vendeve partnere.
Top Channel