
Kryetari i Parlamentit të Greqisë po qendron në Tiranë dhe sipas homologut të tij shqiptar Ilir Meta, kjo është një vizitë e munguar.
“Kjo vizitë na mungonte dhe shpresojmë që Tiranën së afërmi ta vizitojë edhe Kryeministri i Greqisë, zoti Samaras”, deklaroi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
Të tillë e ka cilësuar kreu i Kuvendit Ilir Meta vizitën e homologut grek Evangelos Maimarakis, të parën vizitë zyrtare në Tiranë. Numri një i Kuvendit të vendit fqinj përsëriti atë që quajti prioritetin e rëndësishëm të presidencës greke të BE-së.
“Ashtu si e ndihmuam Shqipërinë për anëtarësimin në NATO, edhe më me tepër forcë dhe dëshirë do të përpiqemi që brenda presidencës greke të marrë një përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat. Prandaj unë besoj se me këtë vizitë ne çojmë një mesazh të rëndësishëm se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera, se dy vendet duhet të bashkëpunojnë me sinqeritet për të mirën e qytetarëve dhe zhvillimit”, tha kreu i parlamentit grek, Evangelos Maimarakis.
Në prononcimin e Metës dhe Maimarakis nuk është prekur asnjë nga cështjet e paadresuara mes Shqipërisë dhe Greqisë. Deklaratat e tyre u prekën cështje më të gjëra të rajonit, kryeparlamentari ynë Kosovën, shtet që Greqia nuk e ka njohur, ndërsa ai grek Maqedoninë, një vend me të cilin vendi fqinj ka ende të hapur cështjen e emrit.
“Greqia si një vend i BE-së përfaqëson një avokate të rëndësishme të perspektivës europiane jo vetëm të vendit tonë, por të gjithë rajonit, dhe ne vlerësojmë përkushtimin e saj për të përkushtuar integrimin europian për të gjithë rajonin, përfshirë këtu edhe Kosovën, e cila e ka vendin gjithashtu në BE”, tha kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
“Në mënyrë të përsëritur ne kemi theksuar, por e kemi treguar edhe me vepra, se i gjithë rajoni i trazuar i Ballkanit duhet të integrohet qoftë në BE, qoftë në NATO, por jo derisa ata të plotësojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Integrimi i rajonit në BE dhe NATO, do të ndihmojë në stabilitetin, sigurinë por edhe qytetarët në zhvillimin që do të marrë rajoni”, deklaroi kryeparlamentari grek.
Dy homologët, ai shqiptar dhe grek, që mbajtën vetëm prononcim të shkurtër për mediat, pa marrë pyetje nga gazetarët, theksuan marrëdhëniet e mira, tradicionale mes dy vendeve fqinje, jo vetëm prej së shkuarës historike edhe të ardhmes së përbashkët europiane.
“Mbi të gjitha ura e shkëlqyer e miqësisë tradicionale dhe e bashkëpunimit që mishërohet nga minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi, ndaj ruajtja e vlerave kulturore, arsimore dhe gjuhësore reciproke ka rëndësi të vecantë për dy popujt dhe vendet tona”, tha Meta.
Takimi me Presidentin Nishanin
Kreu i parlamentit grek është pritur në takim edhe nga Presidenti Bujar Nishani. Përvec rëndësisë së marrjes së statusit të vendit kandidat, në takim janë përmendur edhe episodet e rënda, ndodhur së fundi në burgjet greke.
Njoftimi zyrtar i Presidences thotë se dy bashkëbiseduesit vunë në dukje se këto incidente, sado serioze, nuk duhet dhe nuk mund të cënojnë marrëdhëniet mes vendeve dhe popujve tanë dhe shprehën besimin e plotë në trajtimin e tyre me objektivitet nga institucionet e vendit fqinj dhe se ata do të japin drejtësi.
Top Channel