Ukrainë, vullnetarët përgatiten për luftë

25/04/2014 00:00

Në Gardën Kombëtare ukrainase, vullnetarët përgatiten për luftë. Trupat
duhet të luftojnë separatistët, të mbrojnë tubacionet e gazit dhe, në
rast nevoje, të rezistojnë në fshehtësi.

Një prej zonave të trajnimit është një pyll i dendur në afërsi të Kievit, thotë “Deutsche Welle”. Prapa gardhit rrethues, qindra vetë – meshkuj edhe femra – hapin llogore, zvarriten në tokë me kallashnikovë në duar, e mësojnë si të qëllojnë me bazuka helikopterët.

Vullnetarët e stërvitur nga pjesëtarë të Gardës Kombëtare, në rast lufte do të shkojnë në front me ushtrinë. Në kazermën e Novi Petrivtsi-t, pranë kryeqytetit, stërviten rreth 500 rekrutë; trajnimi atje zgjat 15 ditë, pastaj bëhet zhvendosja në një tjetër vend.

Këshilli Kombëtar i Mbrojtjes së Ukrainës dhe Parlamenti e rimblodhën më 11 Mars Gardën Kombëtare, pas shpërthimit të krizës në Krime. Sipas ministrit të Brendshëm, Arsen Avakov, apelit iu përgjigjën më shumë se 40,000 vullnetarë, që vijnë nga pjesë të ndryshme të shoqërisë; mes tyre ka studentë, inxhinierë, mësues dhe mjekë.

Trajnuesit tregojnë se ka edhe plot vullnetare femra. Kur të konsiderohen se janë gati, do t’u jepen urdhra në bazë të profesioneve që kanë: infermieret e kualifikuara do të punojnë në stafin mjekësor, kuzhinieret do të dërgohen në mensa, ndërsa disa duken se qëllojnë edhe më mirë se meshkujt.

Sipas vendimit të Parlamentit, Garda Kombëtare duhet të mbrojë vendin nga “kriminelët dhe agresorët e huaj”. Gardistët do të përforcojnë trupat kufitare, të vëzhgojnë Ambasadat e huaja ose, në raste të rrezikshme, të mbrojnë sistemin e shpërndarjes së gazit.

Vullnetarët do të jenë një ndihmë për ushtrinë ukrainase, e cila ka shumë pak trupa, dhe mjetet luftarake janë të vjetruara, ndërsa vitet e fundit ka marrë një buxhet mjaft të vogël. Në një aksion ndihme në Mars, përmes SMS-ve, ukrainasit dhuruan 4 milionë dollarë për Ministrinë e Mbrojtjes, e cila thotë se në rast sulmi të Rusisë, trupat e Gardës Kombëtare do të bëjnë luftë partizane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB