Debat i fortë në Greqi për lirinë artistike, ndërpritet koncerti për shkak të gjuhës së këngës Rusinë e pret një valë e re sanksionesh të Perëndimit, pasojë e mosndërhyrjes së saj për zbutjen e krizës në Ukrainë.
Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Italia e akuzuan Moskën se nuk e respektoi marrëveshjen e çarmatimit të separatistëve në rajonet lindore të Ukrainës, ndërsa Kievi ka dalë hapur me pretendimet se Rusia po kërkon ta pushtojë fqinjin e saj, politikisht e ushtarakisht.
Presidenti Obama e diskutoi situatën e Ukrainës me homologun francez Francois Hollande, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me kryeministrat e Britanise e Italisë.
“Liderët pranuan të punojnë së bashku dhe nëpërmjet G7-s e Bashkimit Europian, për të koordinuar hapat shtesë, që do të ndërmerren kundrejt Rusisë. Ata u pajtuan që të gjithë, me idenë se Moska nuk i është përgjigjur marrëveshjes së Gjenevës, as publikisht e as duke i kërkuar militantëve të ulin armët e të braktisin ndërtesat e pushtuara qeveritare; në fakt ajo ka vazhduar ta acarojë situatën nëpërmjet përshkallëzimit të retorikës, e duke kërcënuar ushtarakisht kufirin e Ukrainës”, tha Jay Carney, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Kancelarja Merkel sqaroi se kishte komunikuar më herët me Vladimir Putin për t’i shprehur pakënaqësinë e saj të thellë, nga mungesa e angazhimit të Moskës mbi një rrugë paqësore diskutimesh me separatistët në lindje të Ukrainës.
Por, vet Kremlini duket se, sanksionet e mundshme perëndimore, po i sheh si rast për të krijuar një bazë të re për “ekonominë ruse”. Me shumë gjasa, prioritet do t’i jepet rikthimit të madhësisë së dikurshme të Rusisë.
Udhëheqja e atjeshme po e përgatit vendin gjithmonë e më shumë për rastin e izolimit. Kryeministri Dmitry Medvedev i tha Dumës se masat dhe presioni ndërkombëtar janë një “mundësi e mirë për krijimin e një baze të re të ekonomisë ruse, e cila duhet të mbështetet në të ardhmen në prodhimet e veta”.
Në gazetën “Vedomosti” të së mërkurës, një ekonomist e shprehu alternativën, para së cilës ndodhen tani rusët, me formulën: “armë ose gjalpë”. Ndërsa në Kiev, kryeministri i përkohshëm Arseniy Yatsenyuk deklaroi hapur se, ajo që Rusia synon është të nisë një Luftë të Tretë Botërore.
Këto janë komentet më të ashpra, të bëra deri tani prej tij, në përplasjet verbale me Moskën, ndërkohë që dy vendet kanë dislokuar trupa në afërsi të kufirit të tyre të përbashkët.
Top Channel