Luftë në lindje të Ukrainës

25/04/2014 00:00

Të shtëna, një helikopter i rrëzuar, postoblloqe të shkatërruara dhe
akuza. Tensioni nuk po ulet në Ukrainë, përkundrazi po ngrihet më shumë.
Edhe fjalët e liderëve të Kievit dhe Moskës nuk lënë hapësirë për një
marrëveshje.

“Rusia kërkon luftën e tretë botërore. Nga ajo ka vetëm tentativa agresioni ushtarak në territorin ukrainas”, ka deklaruar kryeministri i përkohshëm Arseniy Yatsenyuk.

Sipas tij, të gjitha këto veprime do të sjellin një konflikt të armatosur në nivel evropian. “Bota ende nuk e ka harruar Luftën e Dytë Botërore, ndërkohë që Rusia do që të nisë të tretën. E gjithë përgjegjësia për agresionin ndaj territorit ukrainas dhe për kërcënimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar bie mbi Rusinë”, ka thënë Yatsenyuk.

Ndërkohë, presidenti amerikan Barrack Obama, i cili ndodhet për një vizitë në Seul, do të zhvillojë gjatë ditës një seri kontaktesh me liderët e vendeve të grupimit G7 për të diskutuar për sanksionet e reja ndaj Rusisë në lidhje me Ukrainën.

Për situatën delikate ka ndërhyrë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, që në një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për situatën.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, sipas të cilit gjatë bisedës kancelarja ka theksuar se pret që Moska të zbatojë marrëveshjen e Gjenevës.

Nga ana e tij, lideri i Kremlinit është përgjigjur duke dënuar ashpër tentativat, sipas tij, të regjimit të Kievit për të përdorur forcat e armatosura kundër qytetarëve paqësorë në jug-lindje të Ukrainës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB