Indonezi, tentohet pengmarrja e avionit

25/04/2014 00:00

Një pasagjer është arrestuar në Indonezi pas asaj që u duk si një
tentativë e tij për të marrë peng një avion që u ul në pistën e
aeroportit të Balit.

Avioni në fjalë, “Virgin Boeing 737”, kishte fluturuar nga Brisbejni i Australisë. Policia indoneziane tha për mediat lokale se pasagjeri tentoi të hynte në kabinën e pilotit dhe të merrte drejtimin e avionit, por u ndalua nga agjentët e sigurisë.

Ndërsa një zëdhënës i forcave ajrore tha për BBC se në bordin e avionit hipën forcat speciale. Por një zyrtar i kompanisë ajrore “Virgin” tha për televizionin publik indonezian se pasagjeri kishte qenë i dehur dhe se avioni nuk ishte marrë peng.

Sido që të jetë, ngjarja në fjalë vjen fare pak kohë nga incidenti ajror i 8 marsit në Malajzinë fqinje, kur një avion i nisur nga Kuala Lumpuri me destinacion Pekinin u rrëzua teksa fluturonte mbi Oqeanin Indian dhe deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij.

Avioni po transportonte 239 pasagjerë, shumica e të cilëve kinezë. Kërkimet për të vazhdojnë dhe nga informacionet e fundit mësohet se ato do të zgjerohen përtej zonës ku janë fokusuar, në Oqeanin Indian.
Një nëndetëse e pilotuar në distancë ka kryer 95 për qind të kërkimeve në zonën ku dyshohej se vinin sinjalet nga kutitë e zeza të avionit, të cilat u perceptuan më 8 prill.

Por nëse sërish nuk do të ketë rezultat edhe nga 5 përqindëhi i mbetur, nëndetësja “Bluefin-21” do të lëvizë në një zonë më të afërt, bëri të ditur agjencia që koordinon operacionet.

Ndërkohë, autoritetet në Malajzi deklaruan se një raport mbi ngjarjen, e mbuluar nga hije misteri, mund të publikohet javën e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB