
Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka qenë surpriza më e madhe e seancës dëgjimore të komisionit hetimor për emërimet në polici.
I pari në listën e dëshmitarëve të thirrur, zoti Burgaj deklaroi përpara komisionit hetimor të policisë se ka kryer detyrën e tij dhe mban të gjitha përgjegjësitë, qoftë edhe ligjore për shkarkimet e 15 drejtorëve kryesorë të policisë dhe 15 emërimet në vend të tyre, për të cilat Partia Demokratike ka ngritur një sërë akuzash.
“Duhet të jem transparent me veten dhe komisionin, që në çdo rast konsultat me ministrin e Brendshëm kanë ndodhur në Policinë e Shtetit. Vendimmarrja është e imja dhe mbaj unë përgjegjësi. Në ushtrimin e kompetencave të mia kam zbatuar gjithmonë ligjin, jam përpjekur ta zbatoj pikë për pikë dhe gjatë gjithë karrierës time nuk kam asnjë shkelje”, deklaroi Burgaj.
Pas ish-drejtiorit të përgjithshëm në pyetje është marrë drejtori i personelit të policisë, ndaj të cilit grupi opzitar kërkoi që të rikthehet sërish, pasi nuk dha dot referencat e ligjit me të cilin u shkarkuan 17 shefa komisariatesh.
Ndërsa debati më i nxehtë ka qenë ai mes kreut të komisionit Arben Ristani dhe drejtorit të përgjithshëm aktual të policisë, Artan Didi.
Didi: “Mos më impono përgjigjen”.
Ristani: “Nuk po ta imponoj unë përgjigjen”.
Didi: “Nuk i interpretoj unë këto fakte”.
Për emërimin e Artan Didit, nënkryetari i komsionit Taulant Balla u shpreh se, çështja është e mbyllur për shkak se Prokuroria e Tiranës ka mbyllur një hetim pas kallëzimit penal të subjektit politik PD.
“Ne si komision të mos i mbivendosemi organeve të drejtësisë, që në rastin konkret është prokuroria. Dhe, mesa jam i informuar, nuk është se subjekti politik i PD e ka ankimuar mbylljen e hetimit në Gjykatën e Lartë. Kjo do të thotë se që nga ky moment merr fund çdo hetim mbi emërimin e zotit Didi në krye të Policisë së Shtetit”, deklaroi Balla.
Por opozita mendon se shefat e komisariateve janë shkarkuar me një motavacion që nuk gjendet në ligj. “Dakord, por po ta dinim që në fillim që ju e keni bërë thjesht politikisht shkarkimin dhe jo sepse janë të inkriminuar, ky komision nuk do ishte ngritur. Nëse këtë arsye do na jepte dhe dëshmitari, atëherë do të ishim dakord. Por nuk është kjo arsyeja që po na del”, tha Ristani.
I fundit në listën e dëshmitarëve të thirrur nga komisioni hetimor është ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, dëshmi e cila pritet të shkaktojë debat mes mazhorancës dhe opozitës.
Top Channel