“Ben Qimja” do të mbetet në burg

07/04/2014 00:00

Çështja e Arben Isufajt, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, duket se do të kthehet në një betejë të papraçedentë mes gjykatave.

Kur i kishin mbetur edhe katër ditë për të qëndruar në paraburgim, siç vendosi apeli të premten, gjykata e shkallës së parë rishpalli një tjetër masë sigurie për 45-vjeçarin, duke ridhënë sërish “arrest me burg”.

Ky vendim u shpall menjëherë pasi një tjetër gjyqtare, Fatime Deçolli, deklaroi të hapur procesin për nisjen e proçedurave për të ekstraduar drejt Italisë biznesmenin e fortë nga Fieri.

Por për dosjen e dorëzuar nga italianët, avokati mbrojtës i “Ben Qimes” kërkoi kohë që të njihej me të, kërkesë e cila iu plotësua nga gjykata edhe me shtatë ditë të tjera në dispozicion.

Por ndërsa kjo kërkesë me shumë mundësi u përdor si kartë nga mbrojtja, në mënyrë që të përfundonte afati në paraburgim për klientin e tij, prokuroria bëri një tjetër lëvizje surprizë për çështjen.

Fill pas vendimit të parë në procesin për ekstradimin, në mesditë një tjetër gjyqtar, kësaj radhe Neritan Cena, në referim të prokurorëve dha një tjetër masë sigurie, atë të arrestit me burg për 45-vjeçarin, çka ia ndërpret në mes dëshirën Arben Isufajt për të lënë qelinë të mërkurën.

Por duke qenë se për Isufajn gjyqësori shqiptar ka rezervuar edhe herë të tjera surpriza, tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë këtë radhë Gjykata e Apelit për këtë masë të dytë sigurimi personal në rast ankimimi nga avokatët.

Në një kohë kur më datë 15 prill do të shihet edhe se cili do të jetë vendimi nga gjykata e Tiranës, nëse do ta pranojë apo jo kërkesën për t’i dorëzuar Italisë Arben Isufajn, në të dyja rastet gjyqësori shqiptar është vënë në provë.

Top Channel