Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i kishte ruajtur për në fund të vizitës në Kosovë disa gjeste simbolike. Njëri prej tyre ishte vizita në Manastirin e Deçanit, ku u prit nga At Sava Janjiç, me të cilin biseduan rreth ruajtjes së trashëgimisë kulturore të Manastirit.

Manastari ortodoks serb nuk është vetëm pjesë e Fondit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, por edhe një simbol i bashkëjetesës fetare dhe etnike në Kosovë.
 
“Është kënaqësi që vizitoj Manastirin e Deçanit që ne e konsiderojmë si një simbol të bashkëjetesës. Shqipëria i kushton rëndësi tolerancës fetare dhe bashkëjetesës etnike, duke qenë e vëmendshme ndaj respektimit të të drejtave të njeriut. Në këtë drejtim ne mbështesim frymën e mirëkuptimit, harmonisë fetare dhe tolerancës”, u shpreh Meta.

Në komunën e Deçanit ka edhe një zonë tjetër që është shndërruar në një vend peligrinazhi. Në fshatin Gllogjan, prej nga e ka prejardhjen Ramush Harandinaj, ndodhen Varrezat e Dëshmorëve të Gllogjanit.

“Është nder të vijmë në Gllogjan dhe të përkulemi me mirënjohje të thellë ndaj popullit dhe ndaj bijve të Gllogjanit që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Jemi këtu për të parë drejt së ardhmes duke nderuar kujtimin e të rënëvë e duke punuar për ta çuar përpara amanetin e tyre për një Kosovë të lirë e të begatë”, tha Meta.

Përpara largimit nga Kosova, Kryetari i Kuvendit ka bërë edhe një vizitë shumë të veçantë në shtëpinë e këngëtares Nexhmije Pagarusha, duke i shprehur asaj mirënjohjen e Shqipërisë për kontributin dhe krenarinë që zëri i saj i ka dhuruar ndër vite kombit shqiptar.
   

Top Channel