
Asistenca e BE-së ndaj Shqipërisë, përfshirë fondet ndaj shoqërisë civile, ndjek një proçedurë strikte me sisteme auditimi rigoroze, bazuar në standarde shumë të larta të kontrollit të brendshëm, që garantojnë transparencën dhe menazhimin e zërave financiarë të fondeve të BE-së.
Këtë sqarim jep Komisioni Europian lidhur me pretendimet se ambasadori Ettore Sequi u largua nga Tirana për shkak të përfshirjes në korrupsion.
“Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ambasadori Sequi u ftua për të marrë një pozicion kyç në Ministrinë e Jashtme italiane, që siç e dini pati ndryshime së fundmi. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer. Përfaqësuesja e Lartë, Ashton, e komisioneri për Zgjerim, Fule, e falenderojnë atë për kontributin e rëndësishëm në përpjekjen për të sjellë Shqipërinë më pranë BE-së dhe i urojnë atij gjithë të mirat. Kjo ishte zgjedhja e tij. Ne do të kishim dashur ta mbanim atë në postin e tij”, deklaroi zëdhënësja Maja Koçijançiç.
Pas dorëheqjes së ambasadorit Sequi, shërbimi diplomatik i BE-së ka nisur proçedurën e përzgjedhjes së kandidaturave për kreun e ri të delegacionit në Tiranë, që pritet të emërohet gjatë verës.
“Posti është hapur për aplikimet nga institucionet e BE-së dhe shërbimi diplomatik i vendeve anëtare. Ka nisur proçedura për këtë lloj emërimi dhe në fund autoriteti që vendos është Përfaqësuesja e Lartë. Kështu që sapo ky proces të përfundojë, do të emërohet një kryetar i ri i delegacionit për Shqipërinë. Por ndërkohë, puna e delegacionit do të vijojë sipas praktikës standarde me të ngarkuarin me punë”, saktësoi Koçijançiç.
Pas Nju Jorkut, Afganistanit dhe Shqipërisë, diplomati italian u kthye në vendin e tij muajin e kaluar, ku po vepron si shef kabineti pranë ministres Federica Mogherini, megjithëse zyrtarisht largimi i tij nga Tirana, për Bashkimin Europian, merr efekt në prill.
Top Channel