
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në orët e vona të së enjtes, në seancën e rregullt plenare, marrëveshjen mes qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, qe i jep vendit 331 milionë euro kredi me interes të butë.
Marrëveshja ka kaluar në tëresi me 76 vota pro, pas një debati të gjatë mes mazhorancës dhe opozitës, që nisi gjatë paradites dhe vijoi me replika të ashpra deri në orët e mbrëmjes. Ndërkohë, gjatë kësaj seance janë miratuar edhe 2 projekt-ligje, ai për tatimet mbi të ardhurat, si edhe për kujdesin shëndetësor për policët.
Kryeministri Edi Rama, duke folur pak orë më parë lidhur me këtë çështje, ritheksoi se nënshkrimi i marrëveshjes me FMN-në është pozitive dhe rivendos balancat financiare
në vend.
“Jemi krenarë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Aktualisht po punojmë për të kthyer ekuilibrin e balancave financiare dhe marrëveshja ofron garanci për rritje ekonomike”, deklaroi Rama.
Shefi i qeverisë nënvizoi se marrëveshja mund të konsiderohet jetike për ekonominë e vendit, duke pasur parasysh “humnerën financiare” ku kabineti i tij gjeti vendin pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
“Marrëveshja u nënshkrua pasi e morëm vendin në humnerën ekonomike. E gjetëm vendin të zhytur në një mal me borxhe. Falë kësaj marrëveshjeje kemi hyrë në një fazë të re dhe ekonomia jonë do fillojë të ringrihet”, theksoi Rama.
Pasi përsëriti se marrëveshja me FMN-në nuk parashikon masa shtrënguese, rritje taksash dhe taksa të reja, shefi i ekzekutivit bëri një pasqyrim të funksionimit të administratave tatimore dhe doganore.
“Tatimet kanë mbledhur mbi 900 milionë lekë më shumë në tre muajt e parë të vitit, ndërsa në 6 muajt e qeverisjes së majtë janë mbledhur 130 milionë dollarë më shumë”, shtoi Rama.
Pas tij ka qenë i menjëhershëm reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e quajti planin ekonomik të qeverisë Rama si një program sipas skenarit grek, që do të rrënojë sipas tij ekonominë e vendit.
Debati, qeveria: Nuk ka rritje taksash. Opozita: Skllavëron vendin
Në diskutimet e mëhershme, ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi se marrëveshja nuk do të sjellë rritje të taksave apo barrës fiskale në tërësi ndaj qytetarëve, ndërsa opozita e konsideroi atë produkt të dështimit dhe paaftesisë së Qeverisë dhe skllavëruese për qytetaret dhe vetë ekonominë.
“Nuk do të rriten taksat, nuk do të ulen pagat, nuk do të ulen pensionet. Në këtë kundërtën dhe për më tepër që në 1 janar, 2014 indirekt dhe direkt secili shqiptar që bën pjesë në 97 për qind të atyre që ne premtuam kanë futur tashmë në xhepin e tyre, shtesë në pagën e tyre”, deklaroi Cani.
“Besoni se shqiptarët do të besojnë mashtrime të tilla, se ua keni ulur taksat? Po ky është cinizmi më ekstrem. Besoni se shqiptarët do t’ju duartrokasin që zotoheni, që për çdo biletë udhëtimi do t’i tatoni; se zotoheni të rrisni nga 50 për qind taksën për makinat e përdorura; se i zotoheni njerëzve më të lodhur në Europë t’ua zgjasni pensionin në 67 vite”, reagoi deputeti demokrat Sali Berisha.
Opozita tha se marrëveshja do të ketë pasoja shkatërruese në ekonomi për shkak të kushteve, sipas saj të rënda që FMN i ka vendosur qeverisë nga mosbesimi ndaj saj.
“Ju këtë marrëveshje e keni ferr dhe tmerr, sepse kjo përbën rëndimin më të madh në 23 vite mbi qytetarët shqiptarë. Kjo është marrëveshje mosbesimi total të Fondit Monetar ndaj jush, nga gërma e parë në germën e fundit”, tha Berisha.
“Në dokumentet që janë publikuar nga Qeveria shqiptare, si dhe nga FMN, tregohet qartë përballja me secilën problematikë, mënyra e zgjidhjes dhe është thjesht abuzive të thuash vetëm që do të ulen pagat, do të rriten taksat. Ato që nuk janë krejt të vërteta. Nuk është fare, fare, fare pjesë e negociatave dhe e bisedimeve me FMN-në”, theksoi Cani.
Përmes kësaj marrëveshjeje, FMN i jep Shqipërisë 331 milionë euro kredi me interes të butë rreth 2 për qind. Por qeveria thotë se efektet pozitive të marrëveshjes për ekonominë janë shumë më të mëdha se sa thjesht financimi me kushte të buta.
“Është një çlirim për kreditimin, për ekonominë, për të ecur ekonomia pa ndërhyrë në tregun e brendshëm të likuiditetit. Gjithashtu, është një mbështetje e komunitetit ndërkombëtar për atë politikë kredibile që ka gjetur tek qeveria shqiptare”, vijoi më tej ministri i Financave.
“Kredia është e mirë dhe i bën nder portofolit të Shqipërisë. Personalisht jam dakord që ajo të merret me këto kushte, por ne do kërkojmë një mocion për debat për të gjitha këto kushte në rast se versioni i performancës së dobët do të realizohet”, tha më pas Florion Mima, deputet i PD.
Marrëveshja me Fondin i hap rrugë edhe dy financimeve të tjera nga jashtë, një kredie nga Banka Botërore si dhe një granti nga Bashkimi Europian, që e çojnë në total paketën e financimeve në 1 miliard euro.
Top Channel