
Në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” ishte i ftuar ish-ambasadori i njohur në Gjermani dhe diplomati Bashkim Zeneli, një njohës dhe kontributor për të gjitha zhvillimet në Gjermani në median e shkruar dhe ato elektronike.
Pandi Gjata: Si do ta përkthenit deklaratën e kancelares Merkel, në konferencën për shtyp me kryeministrin Rama, në mënyrë të veçantë për statusin e Shqipërisë?
Bashkim Zeneli: Vizitën e kryeministrit Rama në Gjermani e vlerësoj si shumë të rëndësishme, në disa plane. Në deklaratën e Merkel nuk shoh ndonjë gjë të re, ndryshe nga sa është thënë më parë, Gjermania ka qenë një mbështetëse e fuqishme e proceseve integruese të Shqipërisë. Në Dhjetorin e kaluar asnjë herë nuk u tha nga Gjermani se dera për Shqipërinë është e mbyllur.
Pandi Gjata: Ku është paralelja mes deklaratës së Dhjetorit dhe kësaj të fundit?
Bashkim Zeneli: Merkel tha që nuk kemi asnjë problem për pranimin e Shqipërisë në BE, do të shikojmë se çfarë rekomandon komisioni. Në një kohë që në Dhjetor komisioni deklaroi për marrjen e statusit dhe disa vende u bënë skeptike. Tani duket se pikat po afrohen, ky proces ka qenë në vazhdimësi, me të mirat dhe dobësitë e tij. Nuk ka asnjë pengesë parimore nga Gjermania. Komisioni në Dhjetor ka qenë shumë entuziast dhe duke marrë parasysh edhe këtë periudhë 3-4 mujore me prirjen e qeverisë së re për të para ato probleme ku na është vënë theksi nga BE. Duket se po jepet një provë bindëse për BE-në dhe Gjermaninë për të na aprovuar statusin.
Pandi Gjata: Në raportet mes 2 vendeve, çfarë sjell kjo vizitë e kryeministrit Rama në Berlin?
Bashkim Zeneli: Gjermania është ‘lokomotivë’ e zhvillimit të Europës, me një peshë të madhe jo vetëm ekonomike, por edhe politike. Në këtë kuadër mendoj se është mjaft i rëndësishëm forcimi i marrëdhënieve me Gjermaninë. Nga ana tjetër, mendoj se ka pasur vizita të mungura mes 2 vendeve.
Pandi Gjata: I referoheni zyrtarëve të lartë gjermanë?
Bashkim Zeneli: Nuk na ka vizituar asnjë nga ministrat gjermanë të rëndësishëm. I vetmi ishte Guido Westerëelle, i cili erdhi vetëm për të ulur tonet nacionaliste, kur ato shpërthyen në Shqipëri. Gjykoj fillimin e një partneriteti të ri dhe serioz me Gjermaninë.
Pandi Gjata: Mund të heqim një paralele mes vizitës së Berishës kur ishte kryeministër dhe vizitës së zotit Rama? Sepse komentet janë, kur ka një të djathtë aleancat janë më të forta.
Bashkim Zeneli: Në raportet shoqërore mund të influencojnë. Ka kaluar ky vështrim. Ne vazhdojmë të jemi entuziast për fitore të së majtës dhe të djathtës në Irlandë dhe na duket sikur kemi fituar vetë ose në një vend tjetër. Natyrisht, afrimiteti i ideve është i natyrshëm, por nuk besoj që Gjermania të prihet nga fakti që është e djathta në Shqipëri dhe të ndihmojë të djathtën dhe e kundërta. C’do vend i BE dhe SHBA-ja mbështesin procesin në ato shina të demokracisë të shtetit ligjorë dhe të së drejtës, nëse këto funksionojnë në rregull ke mik të gjithë botën.
Pandi Gjata: Rama në Berlin, Meta në Kopenhagen ne 2 vend që ishin skeptike në Dhjetor. Nëse Gjermania i thotë po statusit, a shikoni edhe 4 vendet e tjera të ndryshojnë mendim?
Bashkim Zeneli: Këto vizita janë të domosdoshme sepse sqarohen mjaft gjëra dhe i bindin ato në vullnetin për të ecur përpara. Ndonjëherë ka edhe paragjykime. E rëndësishme është performanca demokratike që ka vendi dhe e jep këtë imazh në Europë, por edhe në vendet skeptike në veçanti. Jam i bindur se qëndrimi i Gjermanisë ndikon edhe te vendet e tjera sepse vendet demokratike merren vesh me njëri tjetrin, jo vetëm për rastin e Shqipërisë, por edhe për çështje më madhore.
Pandi Gjata: Ka një teori, ajo që ndodhi në Krime mund të ndihmojë vendet e Ballkanit për përshpejtimin e rrugës europiane. Frika e Krimesë mund të ndikojë. Ju shikoni një ndryshim të situatës?
Bashkim Zeneli: Nuk e shoh si një teori. Ajo që ndodhi në Krime i tërheq vëmendjen BE-s për procese më të shpejta dhe më të konsoliduara. Këto efekte nuk janë pa ndikim. Po ajo që ndodhi në Ukrainë nuk ka asnjë precedent me Kosovën.
Top Channel