Ngjarja e rëndë e kësaj të diele, ku në ujrat e lumit Erzen humbi jetën një i ri, ka ngritur shumë pikëpyetje mbi çështjet e sigurisë. Operacioni për kërkimin e trupit të të riut vijon ende, por siç u transmetua edhe në kronikën e lajmeve ende pa sukses.
Për të folur mbi çështjen e sigurisë së këtyre guidave, sidomos në sezonin aktual ku sportet janë edhe më masive, në lidhje të drejtpërdrejtë me Revistën televizive të Mbrëmjes ka qenë Blerina Ago, sekretare e përgjithshme e Federatës së Rafting.
Për të mos u përsëritur më ngjarje të tilla dhe për të diskutuar vetëm mbi pjesën e bukur të këtyre sporteve, zonja Ago ka deklaruar se është shumë e rëndësishme, pikë së pari, standardizimi i tregut të turizmit me pasjen e një kuadri ligjor të plotësuar.
Bazuar mbi eksperiencën e Federatës së Rafting në Shqipëri, ajo bëri të ditur se ofrohen guida të licencuara dhe të trajnuara për të qenë ekspertë të këtij sporti, të cilët gjatë shoqërimit të turistëve ofrojnë siguri të plotë dhe marrin përsipër përgjegjësi të mëdha, gjithmonë në bazë të aftësive dhe kapaciteteve të tyre të kualifikuara dhe të trajnuara.
Megjithatë, sipas saj, nuk mjafton vetëm pasja e një guide të specializuar mbi një lloj sporti, pasi paralelisht me këtë, të gjithë personat fizikë apo juridikë, kompani, organizata etj., duke qenë se ofrojnë sporte që kanë nevojë për pasjen e materialeve të ndryshme, duhet fillimisht t’i zotërojnë ato në bazë të normave të BE-së dhe në përputhje të plotë me destinacionin për ku ato janë prodhuar.
Sa i përket sportit të Rafting-ut, që u ka dhuruar turistëve eksperienca të shumta të paharrueshme dhe kënaqësi, duke mos pasur në asnjë rast incidente nga subjektet e njohura nga Federata shqiptare e Rafting. Një turist që vjen për këtë lloj sporti, vjen për të parë natyrën me “egërsinë” e saj, për të ndierë kënaqësi e mbresa të paharrueshme, kështu që është përgjegjësi vetëm e guidave apo personave që marrin përsipër këto organizime, që të ofrojnë këto shoqërime e udhërrëfime në bazë të standardeve ndërkombëtare. Këta duhen të jenë të njohur nga shteti shqiptar dhe të jenë të përgjegjshëm dhe të vëmendshëm për të zbatuar rregulloret teknike e organizative.
Në lidhje me institucionet që duhet të kontrollojnë guidat e specializuara e të licencuara dhe funksionimin e këtyre hallkave, Blerina Ago theksoi se ashtu si në çdo sport tjetër, është Federata shqiptare e Rafting personi juridik me hallkën më të lartë të krijuar nga Ministria përgjegjëse e Sporteve.
FSHR është e licencuar pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit dhe zotëron licencën përkatëse për realizimin e formimeve profesionale për guidat turistike të Rafting, e konkretisht, në bazë të trajnimit të fundit, FSHR ka nxjerrë 13 guida të specializuara, që janë persona fizikë dhe që duhen t’i bashkangjiten një organizate apo kompanie që zotëron të gjitha materialet e domosdoshme për ushtrimin e Rafting.
Pra, specializimi në këtë rast ka të bëjë jo vetëm me marrjen e formimit teorik dhe ta kesh ushtruar përmes praktikës, se çfarë është Rafting, si ushtrohet, në çfarë kushtesh, çfarë rreziqesh mund të lindin në rast komplikimi dhe si shmangen problemet, paralelisht shoqërohet edhe nga Karta europiane e Ndihmës së Shpejtë.
Ngjarje si ajo e së dielës nuk duhet të ndodhin në asnjë rast, bën të ditur zonja Ago, pavarësisht se në të tilla sporte rrezikohet ndjeshëm jeta e turistëve, ndërsa sa i përket imazhit të turizmit padiskutim që ato janë shumë të rënda dhe e dëmtojnë rëndë atë. Sa i përket ngjarjes së fundjavës, Blerina Ago tha se e distancon atë aktivitet të kryer të tipit ecje në natyrë, që përfshihet në kategorinë e Alpinizmit, duke mos pasur asnjë lidhje me sportin e Rafting, pavarësisht elementëve të kanionit dhe lumit që mund të kenë bërë të dyshohet këtë sport.
Në fund, Ago e ka mbyllur me një mesazh për të gjithë të apasionuarit e shumëllojshmërisë së këtyre sporteve: guida të licencuara, të njohura nga shteti shqiptar, që edhe në rastet më ekstreme të mundshme dinë të menaxhojnë situatat dhe të shmangin problemet apo tragjeditë.
Top Channel