Punimet e javës së kaluar në seancë plenare të Kuvendit degjeneruan në sharje dhe fyerje mes mazhorancës dhe opozitës, që u pasqyrua në replikat dhe kundër-replikat mes Kryeministri Rama dhe deputetit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.


Gjuha e përdorur ishte tërësisht jashtë cdo norme të etikës në punimet e Kuvendit dhe aspak për rëndin e ditës. Qëndrimi reflektoi edhe njëherë tjetër hëndekun e madhe mes mazhorancës dhe opozitës për një dialog normal mes tyre, si brenda ashtu edhe jashtë mureve të parlamentit, kur në Kryesinë e tij ndodhen një sërë projekt-ligjesh të rëndësishme që presin miratimin.

Mes tyre është ligji për reformën administrativo-territoriale. Nevoja për një reformë të tillë është njohur publikisht nga të dyja palët, por opozita deri më tani ka refuzuar ftesat e mazhorancës për t’u ulur e për të diskutuar mbi këtë reformë.

Gjithë kjo pasqyron një situatë të nderë në Kuvend, aq sa me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen; a është ky parlament në krizë?

Për t’iu përgjigjur kësaj dhe të tjera pyetjeve në takimin e kësaj të hëne në panelin e emisionit “Shqip” gazetarja Rudina Xhunga kishte ftuar analistët Afrim Krasniqi, Shpëtim Nazarko, Eduard Zaloshnja dhe Mark Marku.

Afrim Krasniqi vlerësoi se” Kur parlamenti ka punë, merret me ligjet, kur s’ka punë merren me njëri-tjetrin. Ky parlament është ndër të parët që në 6 muaj nuk ka mirutuar asnjë ligj të rëndësishëm, por ka patur vetëm shtyrje seancash.

Mark Marku: Kjo shpreh paaftësinë e sistemit politik dhe faktorëve për t’u përballur me gjendjen. Kjo është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale të vendit. Është një paaftësi e maxhorancës për të ushtruar atë për të cilën është zgjedhur nga populli.

Eduard Zaloshnja: Çdo debat, çdo propozim i mazhorancës duhet të përballet me kundër-propozimet konkrete të opozitës, por sot opozita merret me sharjen. Shan kryeministrin, shan ministrat, shan deputetët, duke harruar dhe duke lënë jashtë axhendës së saj propozimet.

Shpëtim Nazarko: Kjo është një lojë e Berishës dhe në momentin kur anëtarët e tjerë të Partisë Demokratike do ta kuptojnë që kjo lojë nuk ecën, do ta shesin Berishën, ashtu sic shitën socialistët Nanon. Problem shumë i madh sot është që në Shqipëri mungon opozita. Kjo parti rrezikon të ikë sot sepse s’ka ide.

Në pjesën e tretë, të ftuarit u ndalën tek reforma administrativo-territoriale. Që të katër ata shprehën nevojën e reformimit, sepse ndarja aktuale nuk plotëson më nevojat e shoqërisë shqiptare që ka ndryshuar shumë në 23 vite demokraci.

Ndasi mes analistëve lindi tek metoda, analiza dhe koha. Për Mark Markun ndarja duhet të studiohet mirë sepse nga ajo varen të shërbimet e tjera që shteti u ofron qytetarëve, jo vetëm cështja elektorale.

Eduard Zaloshnja vlerësoi se për Partinë Socialiste ndarje aktuale është e duhura për t’u përkthyer në vota sepse i intereson një ndarje sa më e vogël. “Është provuar historikisht që partisë në pushtet i intereson një ndarje sa më e coptuar sepse ka më shumë kryetarë rajonalë. Por problemi qëndron se në qershor pret statusin dhe ndërkombëtarët presin një sinjal konsensusi mes palëve”, tha ai.

Afrim Krasniqi shtoi se më shumë se sa të mëdha do të jenë njësitë administrative, kanë rëndësi kompetencat. “Në procesim e decentralizimit duhet t’u japim autonomi financiare”, tha Krasniqi.

Top Channel