
Autoritetet në Turqi kanë bllokuar aksesin në faqen e internetit YouTube, një ditë pasi gjykata urdhëroi zhbllokimin e rrjetit social Twitter, që u mbyll me urdhër të kryeministrit.
Autoriteti kombëtar i telekomunikimit, TIB, deklaroi se kishte marrë një masë administrative ndaj kësaj faqeje në Turqi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Më herët, një material audio që aludohet se përmbante bisedat e zyrtarëve turq që diskutonin për Sirinë u transmetua në YouTube.
Kryeministri Recep Tayip Erdogan akuzon mediat sociale për dizinformim, arsye për të cilën, siç thotë ai, bllokoi edhe Twitter.
Por arsyeja e vërtetë duket se ka qenë publikimi i disa akuzave për korrupsion ndaj rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve të kreut të qeverisë në rrjetin social.
“Nuk më intereson se çfarë do të thotë komuniteti ndërkombëtar. Të gjithë do të njohin tani e tutje forcën e pushtetit të Republikës së Turqisë”, deklaroi Erdogan pak ditë më parë.
Përdoruesit në Turqi kur hapnin “Twitter.com” drejtoheshin drejt një deklarate të Autoritetit ku citohej një urdhër gjykate që detyron aplikimin e “masave të mbrojtjes” ndaj kësaj faqeje.
Të mërkurën gjykatat turke rrëzuan vendimin e qeverisë, duke e cilësuar atë anti-kushtetues dhe urdhëruan menjëherë zhbllokimin e rrjetit social. Por deri tani një gjë e tillë nuk është bërë.
Në Turqi janë rreth 10 milionë përdorues aktivë të Twitter. Në 2010-n, vendi hoqi ndalimin e përdorimit të Youtube, dy vite pasi kishte bllokuar aksesin në këtë uebsajt, për shkak të disa videove ofenduese ndaj themeluesit të këtij vendi, Mustafa Kemal Ataturk.
Top Channel