Raporti i OKB-së për raketat koreano-veriore

27/03/2014 00:00

UNHA-3, raketa me rreze të gjatë veprimi e testuar me sukses një vit më parë nga Koreja e Veriut dhe konsideruar si njësia më e rëndësishme e arsenalit ushtarak të vendit komunist, u ndërtua me pjesë të britanike, amerikane dhe koreano-jugore.

Në këtë përfundim kanë mbërritur një grup ekspertësh të Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të cilët thonë se pjesa më e madhe e përbërësve të raketës janë elementë që nuk përfshihen në listën e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Penianit.

Kjo, për ekspertët e OKB-së, tregon aftësinë e vendit komunist në ndërtimin e sistemeve të avancuara dhe komplekse duke përdorur produkte teknologjike globale që s’janë pjesë e sanksioneve ndaj tij.

Përvec përbërësve “Made In”, Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut, që përbëjnë elementët kryesorë të ndërtimit të raketës, janë përdorur edhe aksesorë shtesë të siguruar nga Zvicra dhe Kina.

UNHA-3, një raketë me rreze të gjatë veprimi dhe me tre faza u lëshua në dhjetor të vitit 2012. Lëshimi u kritikua ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, pavarësisht se Peniani këmbëngul se raketa hodhi në hapësirë një satelit të vendit komunist.

Por Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët e Koresë së Veriut, Japonia dhe Koreja e Jugut këmbëngulin se raketa është në gjendje të transportojë mbushje bërthamore deri në brigjet perëndimore të SHBA.

Së fundmi Peniani njoftoi kryerjen me sukses të testimit të dy raketave balistike Rodong me rreze të mesme veprimi. Ndërkombëtarët reaguan sërish dhe një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pritet të zhvillohet me dyer të mbyllura këtë të enjte për të diskutuar mbi reagimin që do jepet ndaj vendit komunist.

Top Channel