Obama-Renzi, “partneritet të fortë”

27/03/2014 00:00

Ditë e ngarkuar për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama. pas takimit me Papa Françeskun në Vatikan dhe presidentin e Italisë, Giorgio Napolitano, në drekë është takuar edhe me kryeministrin Matteo Renzi në Villa Madama.

“Është një kënaqësi e madhe ta preshësh këtu. Të gjithë gazetarët italianë e dinë që Obama nuk është vetëm presidenti amerikan. Për mua dhe skuadrën time ai është burim frymëzimi”, ka deklaruar Renzi.

“Dialogu i sotëm konfirmon miqësinë e madhe dhe partneritetin mes SHBA dhe Italisë. Sfida e prezantuar nga presidenti Obama për marrëdhëniet SHBA-BE është shumë tërheqëse”, ka komentuar më tej Renzi në fund të takimit, ku ka shtuar se, “Evropa ka nevojë për rritje dhe punësim”.

Sipas raportimit të agjencisë italiane të lajmeve “ANSA”, kryeministri italian ka falenderuar shefin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun e zhvilluar mes tyre, që i është referuar “vlerave dhe idealeve të përbashkëta”.

“Bashkëpunimi dhe partneriteti ynë kalon nga çështjet e mëdha ndërkombëtare tek ato të jetës së përditshme”, është shprehur më tej shefi i qeverisë së Romës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, zoti Renzi ka rikonfirmuar edhe qëndrimin e përbashkët Itali-SHBA përsa i përket Ukrainës. “Në Bruksel ndamë së bashku kundërshtimin e ashpër ndaj veprimeve të Rusisë që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, ka theksuar Renzi.

Ndërsa Obama nga ana e tij është shprehur i befasuar nga energjia e kryeministrit, i cili sipas tij është pozitiv për Italinë dhe BE-në, si një lider i brezit të ri.

“Është e mrekullueshme të jesh sërish në Romë, një nga qytetet më të mëdha të botës. Mezi pres ta takoj Renzin në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse ka ardhur një herë si qytetar i parë i Firences”, ka thënë Obama.

Më herët Obama u takua me presidentin Napolitano në Quirinale, takim që është pasuar nga një tjetër më i gjerë, ku kanë qenë të pranishëm sekretari i Shtetit, John Kerry, këshilltarja për sigurinë kombëtare Susan Rice dhe nga pala italiane ministrja e Jashtme, Federica Mogherini dhe disa këshilltarë të presidentit.

Top Channel