Gjeorgji, gati arresti për Shakashvilin

27/03/2014 00:00

Autoritetet në Gjeorgji kërcënuan se do të lëshojnë një mandat-arresti për ish-presidentin Mikail Shakashvili, nëse ai nuk kthehet në vend për t’iu përgjigjur disa pyetjeve, veçanërisht për çështjen që lidhet me vdekjen e dyshimte të ish-kryeministrit Zurab Zvania.

Politikani pro-perëndimor e la Gjeorgjinë pasi përfundoi mandatin në muajin nëntor, kur një kandidat i opozitës u zgjodh për ta zëvendësuar. Shakashvili argumenton se është viktimë e “gjuetisë së shtrigave” nga Moska.

Prokurorët shpresuan që Shakashvili të shfaqej për t’u marrë në pyetje të enjten, por sipas raportimeve, ai do të refuzojë të kthehet. Ai aktualisht jep mësim në Universitetin Tafts të Bostonit dhe këtë muaj është parë në disa evenimente në Europë, duke kritikuar ashpër aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Duke folur të martën nga një vend i panjohur për një televizion privat gjeorgjian, Shakashvili tha se, “jam larguar nga Gjeorgjia vitin e kaluar, pasi jam këshilluar me zyrtarët perëndimorë, sepse rrezikoja të arrestohesha në vend“.

“Edhe sekretari i Shtetit, John Kerry e ngriti këtë çështje gjatë një bisede kur unë qendrova për vizitë në Uashington”, tha ai.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Europian kritikuan qeverinë gjeorgjiane se po përpiqet të ndjekë penalisht ish-zyrtarët e Gjeorgjisë.

Dhjetëra zyrtarë gjeorgjianë janë nën hetim dhe ndaj disave janë ngritur edhe akuza. Në disa raste ata janë burgosur, të akuzuar për abuzim me detyrën.

Shakashvili njihet nga Perëndimi si një udhëheqës karizmatik që ndaloi burokracinë dhe sfidoi Rusinë në luftën e shkurtër të vitit 2008. Por brenda vendit shumë gjeorgjianë e akuzojnë se ishte shumë autoritar dhe se la të lulëzonte korrupsionin e nivelit të lartë.

Top Channel