FMN aprovon paketën për Kievin

27/03/2014 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar aprovoi për Ukrainën një paketë të bollshme prej 14 deri në 18 miliardë dollarësh, e cila do t’i vijë në ndihmë vendit në një moment tepër të vështirë për të, kur rrezikon edhe falimentimin. Por asistenca e FMN-së nuk vjen pa kosto.

Organizmi ndërkombëtar kërkon në këmbim rritjen e çmimit të energjisë me 50% për familjet ukrainase, ndërsa nga 1 prilli, çmimi që ish-republika sovjetike paguan për rezervat e gazit rus do të rritet në 79%, duke mbërritur në 480 dollarë për 1.000 metra kub gaz.

Kryeministri i përkohshëm Arseniy Yatseniuk tha përpara Parlamentit se rritja e çmimit të gazit rus nga muaji që vjen ishte e pritshme dhe përbën një prej faktorëve kryesorë të cilët e shtynë Ukrainën drejt katastrofës ekonomike.

“Jemi në prag të falimentimit ekonomik dhe financiar. Në 2014-n, inflacioni do të llogaritet ndërmjet 12 dhe 14% dhe pa masat drastike të propozuara nga FMN-ja për stabilizmin e ekonomisë, prodhimi i brendshëm bruto brenda vitit do të bjerë me 10%”, deklaroi ai.

Dyfishimi i çmimit të gazit do të sjellë shumë vështirësi për ekonominë dhe popullin e Ukrainës, pohoi Yatseniuk, për të shtuar se, ky është çmimi që po paguajmë ne për pavarësinë e vendit.

Paketa e FMN-së do të shoqërohet me kontribute nga komuniteti ndërkombëtar, që do ta çojë këtë shifër në gjithësej 27 miliardë dollarë, që do të lëvrohen përgjatë dy viteve të ardhshme.

Top Channel