Venezuelë, arrestohen 3 gjeneralë për komplot

26/03/2014 00:00

Presidenti i Venezuelës ka bërë të ditur arrestimin e 3 gjeneralëve të forcave ajrore, për planifikimin e një kryengritje kundër qeverisë së tij. Maduro tha se autoritetet ishin informuar nga “oficerët e rinj” dhe se 3 të arrestuarit kishin lidhje me opozitën.

Arrestimet janë zhvillimet e fundit pas gati dy muajsh trazira, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e 32 personave.

Komentet e Maduro-s u bënë gjatë një takimi me një delegacion të ministrave të Jashtëm të bllokut të Unionit të Kombeve të Amerikës së Jugut, të cilët ndodhen në Venezuelë për të vlerësuar krizën politike. Maduro shtoi se gjeneralët e arrestuar kishin planifikuar të krijonin kaos në shërbimet publike, si edhe reduktim të energjisë elektrike në të gjithë Venezuelën.

Maduro tha se autoritetet vepruan pas “shqetësimit të ngritur nga oficerët e rinj, gjeneralët dhe kolonelët”, të cilët ishin ftuar për t’u bërë pjesë e një grusht-shteti. Arrestimet u kryen gjatë ditës së hënë.

Më herët, Maduro ka akuzuar sektorë të krahut të djathtë, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, për nxitje të protestave për rrëzimin e qeverisë së tij. Opozita, nga ana e saj, ka akuzuar qeverinë për përgjigjen e ashpër ndaj protestave, të cilat filluan në javën e parë të Shkurtit.

Demostruesit protestuan kundër inflacionit të lartë dhe shtimit të kriminalitetit. Protestuesit thonë se 14 vite të programit të qeverisë së majtë, të përgatitura nga ish-presidenti Hugo Chavez, i cili u nda nga jeta Marsin e vitit të kaluar, kanë dështuar.

Top Channel