Pakistan, bisedimet e paqes në ditën e parë

26/03/2014 00:00

Në rajonin e Uaziristanit Verior, në Pakistan, është mbajtur dita e parë e bisedimeve të paqes mes qeverisë pakistaneze dhe guerrilasve talebanë.

Mediat lokale raportojnë se në këtë takim është rënë dakord për zgjatjen e armëpushimit, por asnjëra nga palët nuk e ka konfirmuar këtë.

Gjithësesi, ky ishte kontakti i parë direkt mes dy palëve që nga përpjekjet për arritjen e paqes që nisën muajin e kaluar.

Grupi i talebanëve pakistanezë, TTP, ka kryer një fushatë rebelimi në Pakistan që prej vitit 2007. Një grup prej katër zyrtarësh pakistanezë udhëtuan në zonën në afërsi të kufirit afgan në Helikopter.

Bisedimet janë rezultat i një përpjekjeje të kryeministrit pakistanez Nawaz Sharif për të gjetur një rrugë për t’i dhënë fund rebelimit që ka marrë mijëra jetë.

Korrespondenti i BBC në Lahore deklaron se zoti Sharif ndodhet nën presion politik për të zgjidhur krizën, në një kohë kur shumë të tjerë mbështesin një aksion ushtarak nëse bisedimet dështojnë.

Militantët, që luftojnë për vendosjen e versionit të tyre të ligjit Sharia në Pakistan, kanë refuzuar vazhdimisht kushtetutën e vendit. shumë vëzhgues deklarojnë se një gjë e tillë redukton gjasat për një marrëveshje.

Që kur mori drejtimin e zyrës majin e kaluar, zoti Sharif është ndodhur nën presionin për vënien nën kontroll të dhunës, me fraksione politike që e kanë akuzuar se nuk ka një strategji për t’u përballur me militantët, tregojnë më tej korrespondentët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA