Nju Jork, dënohet dhëndri i Bin Ladenit

26/03/2014 20:00

Dhëndri i Osama Bin Laden, Sulaiman Abu Ghaith, i cili shërbeu si një zëdhënës për Al-Kaedën pas sulmeve të 11 Shtatorit, u shpall fajtor për akuzën e terrorizmit nga një gjykatë në Nju Jork.

Ghaith përballet me mundësinë që të kalojë jetën e mbetur në burg, kur ndaj tij të jepet masa e ndëshkimit për akuzën e “komplotit për vrasjen e amerikanëve” dhe “pjesëmarrjen në një organizatë terroriste”.

Kleriku kuvajtian u arrestua vitin e kaluar në Jordani dhe u ekstradua përpara disa muajsh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai është figura më e lartë e Al-Kaedës që gjykohet nga drejtësia amerikane që prej sulmit famëkeq mbi kullat binjake.

Gjatë seancave gjyqësore u transmetuan video në të cilat shfaqej dhëndri i Bin Ladenit duke kërcënuar Shtetet e Bashkuara.

Ghaith i justifikoi sekuencat duke thënë se ai po luante një rol krejtësisht fetar, me qëllim që të nxiste muslimanët që të ngriheshin ndaj pushtuesve.

Ai shtoi se kishte qenë vetë Bin Ladeni ai që i kishte kërkuar të shndërrohej në zëdhënës të Al-Kaedës.

Ghaith ishte një prej njerëzve të parë që Bin Laden, lideri i terrorit vizitoi pas sulmeve të 11 Shtatorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA