Barack Obama i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë Vladimir Putinit, me deklaratën se Shtetet e Bashkuara do të përdorin forcën ushtarake për mbrojtjen e çdo vendi aleat të NATO-s, që do të gjendej nën kërcënim.
Agresioni i mëtejshëm në kufijtë rusë me shtetet e Europës lindore, sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë, do të ketë pasoja.
“Do të veprojmë në mbrojtjen e aleatëve, ndaj çdo kërcënimi që i kanoset atyre, sepse për këtë është NATO-ja. Anëtarësimi në NATO nënkupton pikërisht përgjigjen ushtarake ndaj çdo rreziku”, tha Obama.
Nga sa shkruan prestigjiozja “New York Times”, e cila citon këtë pohim të fortë të presidentit amerikan, edhe pse fuqitë botërore e kundërshtojnë kategorikisht aneksimin e Krimesë, forca ushtarake nuk do të përdoret për t’ia kthyer rajonin Ukrainës, e cila nuk është vend anëtar i Aleancës së Atlantikut Verior.
“Do të ishte e pandershme të pretendohet se ka një zgjidhje të lehtë, për atë çfarë ndodhi në Krime. Bota nuk mund të bëjë shumë në këtë rast, përveç se të tentojë të përdorë presionin ligjor e atë ekonomik kundër Rusisë. Historia, megjithatë, është e mbushur me kthesa e të papritura të çuditshme; nuk është e gjitha një vijë e drejtë”, deklaroi Obama.
Disa orë pasi vendet më të industrializuara të botës vendosën të ndëshkonin Moskën për marrjen e Krimesë, Senati amerikan bëri përparime në lidhje me një projekt-ligj për t’i ofruar ndihmë ekonomike Ukrainës.
Me 78 vota pro dhe 17 kundër u miratua masa për fillimin e debatit mbi një projektligj, i cili pritet të aprovohet ditët e ardhshme dhe duhet të harmonizohet me legjislacionin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Drafti i Senatit autorizon hua të garantuara për Ukrainën, parashikon dënime ekonomike për zyrtarët rusë dhe riorienton kontributet amerikane për Fondin Monetar Ndërkombëtar, në një mënyrë që të lehtësojë dhënien e kredive shtesë per Kievin.
Top Channel