Egjipt, nis gjyqi ndaj kreut të Vllazërisë

25/03/2014 00:00

Në Egjipt ka nisur të martën procesi gjyqësor ndaj liderit të Vllazërisë
Myslimane, Mohammed Badie dhe 682 mbështetësve të presidentit të
rrëzuar Mohammed Morsi.

Ata përballen me një sërë akuzash, mes të cilave ajo për vrasjen e disa agjentëve të policisë gjatë përpjekjeve të tyre për të frenuar lëvizjen islamike në muajin gusht.

Shumica e të pandehurve po gjykohen në mungesë dhe zyrtarët thonë se zoti Badie nuk ishte në gjykatë për arsye sigurie.

Procesi i madh në provincën e Minias vjen një ditë pasi e njëjta gjykatë dënoi me vdekje 528 mbështetës të tjerë të ish-presidentit Morsi.

Në mbarë botën ka pasur reagime të ashpra ndaj këtij mega-dënimi, i cili u dha në sesionin e dytë të procesit.

Autoritetet egjiptiane i janë vënë pas Vllazërisë Myslimane që nga rënia e Morsit në korrik. Që atëherë mbi 1 mijë persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar.

Mohammed Badie, udhëheqësi i përgjithshëm i Vllazërisë, po mbahet në burg bashkë me shumë liderë të tjerë të lëvizjes islamike.

Ushtria ndërhyri pas protestave të shumta që kishin mbushur rrugët kundër zotit Morsi, presidenti i parë pro-islamik i zgjedhur në rrugë demokratike.

Pas rënies së tij nga pushteti Vllazëria mbajti protesta dhe ngriti kampe protestuesish në Kajro, lëvizje pas të cilave zoti Baide ishte një figurë e spikatur.

Policia bastisi kampet, duke vrarë qindra protestues dhe duke detyruar udhëheqësin që të fshihej. Por ai u arrestua në muajin gusht.

Top Channel