
Republikani Mike Turner, anëtar i Komisionit për Shërbimet e Armatosura
të dhomës së përfaqësuesve është i mendimit se zgjerimi i NATO-s është
përgjigjja e duhur ndaj Rusisë, pas marrjes së Krimesë.
Ai flet për afrimin e Gjeorgjisë, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë dhe Greqisë, rishikimin e marrëveshjes së Dejtonit për Bosnjën dhe Hercegovinën.
“Mendoj se përgjigjia e duhur do të ishte t’i ofrohet Gjeorgjisë Plani i Aksionit për anëtarësim në NATO, të bëhen përpjekje maksimale diplomatike për zgjidhjen e konfliktit mes Maqedonisë dhe Greqisë, të shqyrtohet mundësia e një Dejtoni të dytë për zgjidhjen e çështjeve kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe t’i ofrohet anëtarësimi Malit të Zi”, tha Turner.
Ai foli në një konference në Bruksel, ku merrte pjesë edhe Komandanti Suprem i Forcave të NATO-s për Evropën, gjeneral Philip Breedlove i cili tha se ishte e qartë që Rusia i kishte planifikuar hapat që ndërmori në Krime.
Turner tha se hapa të tillë do ta bënin botën të ndryshme nga ajo që dëshiron të shohë Presidenti rus Vladimir Putin. Ndersa komandanti supreme i forcave të NATO-s për Europën, Philiph Breedlove tha se nuk kishte asnje dyshim se Rusia e kishte paramenduar nderhyrjen ne Krime.
Diskutimet u bënë në Forumin e Brukselit, në konferencën vjetore për marrëdhëniet transatlantike, organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, ku marrin pjesë krerë shteti, zyrtarë të institucioneve të Bashkimit Evropian, zyrtarë amerikane, përfaqësues të Kongresit, parlamentarë dhe akademikë. Në të njëjtin forum, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanovic rikonfirmoi angazhimin e vendit të tij ndaj integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO-s.
Top Channel