Kontaktet e para Rusi-Ukrainë

24/03/2014 00:00

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka zhvilluar bisedime me homologun e tij ukrainas, Andriy Deshchytsia, për herë të parë që nga lëvizja e Rusisë në Krime që shkaktoi krizën e thellë diplomatike.

Zoti Lavrov deklaroi se Rusia nuk është e shqetësuar nga perspektiva e përjashtimit të saj nga grupimi G8. Ai u takua me shefin e diplomacisë ukrainase ditën e hënë në Hagë të Holandës, ku do të zhvillohet dhe takimi i grupimit G7.

“Ne parashtruam vizionin tonë për të vendosur një dialog pozitiv kombëtar, duke marrë parasysh të gjithë banorët e Ukrainës”, deklaroi Lavrov në një konferencë për shtyp.

Ai tha gjithashtu se “nuk është një tragjedi” përjashtimi i Moskës nga G8-a, për shkak të aneksimit që ajo i bëri gadishullit të Krimesë, tashmë nën kontrollin e plotë të Moskës.

“Nëse partnerët tanë perëndimorë mendojnë se kjo është lëvizja e duhur, atëherë le ta bëjnë. Ne nuk kemi ndërmend të kacavirremi tek ky grup”, tha shefi i diplomacisë ruse për gazetarët.

Gjatë së hënës zoti Lavrov u takua edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili shprehu “shqetësimin e thellë” për rritjen e pranisë ushtarake ruse në kufi me Ukrainën.

Top Channel