NATO paralajmëron Rusinë

23/03/2014 00:00

Kreu i komandës supreme të NATO-s në Europë paralajmëroi Rusinë për grumbullimin e trupave në kufirin me Ukrainën. Shqetësimin më të madh për Aleancën, sipas gjeneralit Philip Breedlove, e përbën kërcënimi ndaj rajonit të Transnistrias.

Moska vazhdon të këmbëngulë se forcat e dislokuara në lindje të Ukrainës nuk shkelin asnjë marrëveshje ndërkombëtare.

“Trupat ruse në kufirin ukrainas janë shtuar shumë në numër dhe janë në gatishmëri për të vepruar. Në këtë zonë të kufirit ka mjaftueshëm forca për të kaluar në Transnistria, nëse do të merrej vendimi në Moskë dhe kjo është mjaft shqetësuese. Në këto momente, Rusia po vepron më shumë si kundërshtare, se sa si partnere”, tha Philip Breedlove, komandat suprem i NATO-s në Europë.

Shtimi i trupave në kufi është lidhur me aneksimin e Krimesë nga Ukraina, pas përmbysjes së presidentit pro-rus, Viktor Yanukovych. Flamuri i Moskës valëvitet sot mbi 189 njësi ushtarake ukrainase në Krime.

Ambasadori rus në BE deklaroi se ribashkimi nuk ishte aspak një veprim i planifikuar, por në thelb ai i dha fund një “anomalie”, e cila zgjati 60 vjet. Vladimir Chizhov pretendon gjithashtu se Moska nuk ka tendenca ekspansioniste dhe se askush nuk ka përse i druhet Rusisë.

Shumë njerëz, në anën tjetër të kufirit, nuk e mendojnë kështu. Gjatë një tubimi masiv në Kiev, shefi i Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare, Andriy Parubiy, deklaroi se qëllimi i vërtetë i Putin nuk është gadishulli rusisht-folës, por e gjithë Ukraina dhe se trupat ruse janë gati të hidhen në sulm, nga momenti në moment.

Në fakt, që me përfundimin e aneksimit të Krimesë, u shpërfaqën shqetësimet se Moska mund të pretendojë edhe pjesë të tjera të shtetit fqinj, ndaj këshilltarja për sigurinë në Shtetet e Bashkuara, Susan Rice, e bëri të qartë se Uashingtoni po i ndjek me vëmendjen më të madhe zhvillimet në kufirin me Rusinë.

Top Channel