Presidenti kinez, tur zyrtar në Evropë

22/03/2014 00:00

Presidenti kinez Xi Jinping pritet të mbërrijë të shtunën në Holandë, në kuadër të vizitës së tij të parë në Evropë si kryetar i shtetit aziatik.

Në turin e tij përfshihen Franca, Gjermania dhe Belgjika, me një ndalesë në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel. Ai do të shoqërohet në këtë vizitë nga rreth 200 biznesmenë të fuqishëm, të cilët do të diskutojnë për marrëdhëniet tregtare.

Nga ana tjetër, presidenti Xi Jinping pritet të përballet me presionin e fuqive të Perëndimit për një pozicion më strikt ndaj Rusisë, në lidhje me çështjen e Ukrainës.

Zakonisht Kina mbështet Moskën në çështjet e politikës së jashtme, por javën e kaluar ajo refuzoi të shprehte mbështetje të plotë për aleatin e saj.

Pekini abstenoi në votimin e mbajtur në Kombet e Bashkuara që do të dënonte marrjen e rajonit të Krimesë nga Rusia, kur deri dje kishte qenë pjesë e Ukrainës.

Korrespondenti i BBC në Shangai deklaron se Evropa dhe Kina kanë raporte që shpesh herë karakterizohen nga mosmarrëveshje.

Një përplasje mes palëve ishte ajo me Kinën që veproi kundër verës franceze pasi Bashkimi Evropian vendosi tarifa mbi panelet diellore kineze, kontest ky që u zgjidh vetëm ditën e premte.

Presidenti Xi mbërrin në prag të takimit të grupimit G7 që do të mbahet në Hagë javën e ardhshme. Ai pritet të diskutojë për situatën në Ukrainë me presidentin amerikan Barack Obama paralelisht me samitin.

Top Channel