Maratona e Bostonit, shfajësohet agjenti

22/03/2014 00:00

Një prokuror në Florida të Shteteve të Bashkuara ka shfajësuar një agjent të FBI-së nga akuza për qëllimin për vdekje të një emigranti çeçen të lidhur me një nga atentatorët e Maratonës së Bostonit.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave prokurori Jeff Ashton nuk do ta akuzojë agjentin për vdekjen e Ibragim Todashev.

FBI ka deklaruar se Todashev, 27 vjeç, sulmoi agjentin me një objekt metalik me majë gjatë një marrjeje në pyetje në apartamentin e tij në Orlando.

Todashev kishte qenë shok i Tamerlan Tsarnaev, një nga dy atentatorët e maratonës. Më 27 maj, një grup agjentësh të FBI-së po e merrnin atë në pyetje në lidhje me Tsarnaev kur incidenti ndodhi.

Agjenti, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, qëlloi disa herë ndaj 27-vjeçarit, që dikur kishte qenë luftëtar artesh marciale, pasi mori një goditje në kokë për të cilën iu deshën disa qepje.

Todashev vdiq nga të shtënat. Agjenti u pastrua nga akuzat për keqmenaxhim të situatës nga një hetim i brendshëm i kryer nga Byroja Federale e Hetimeve, raporton “New York Times”.

Autoritetet amerikane deklarojnë se Todashev kishte pranuar se kishte luajtur një rol në një vrasje të trefishtë të vitit 2011 në afërsi të Bostonit, e cila nuk kishte lidhje me atentatin ndaj maratonës, por në të ishte përfshirë edhe Tsarnaev.

Autoritetet thonë se 26-vjeçari Tsarnaev dhe vëllai i tij 6 vjet më i vogël, Dzhokhar, planifikuan dhe kryen më 15 prill atentatin me bombë në vijën e finishit të maratonës së Bostonit, që vrau tre persona dhe plagosi 264 të tjerë. Dy çeçenët kishin emigruar në SHBA nga Rusia që fëmijë.

Top Channel