Korea Veriore, 30 raketa në det, drejt Japonisë

22/03/2014 00:00

Korea e Veriut ka lëshuar 30 raketa me rreze të shkurtër drejt ujrave detare në lindje të gadishullit korean, gjatë orëve të para të së shtunës, raporton agjencia e lajmeve koreano-jugore “Yonhap”, që citon shefin e Shtabit të Përgjithshëm në Korenë e Jugut.

Raketat, të cilat besohen të jenë të tipit Frog, të zhvilluara në ish-Bashkimin Sovietik, dhe që Korea e Veriut i ka pasur që nga vitet 1960, fluturuan për më shumë se 60 km (37 milje), përpara se të binin në det, informon “Yonhap”.

6 ditë më parë, Korea e Veriut lëshoi sërish 25 raketa të tjera me rreze të shkurtër, sërish në ujrat detare në lindje të bregdetit të saj.

Korea e Jugut beson se veprimet e ndërmarra nga Veriu këtë muaj janë një “protestë e armatosur” kundër stërvitjes ushtarake mes Koresë së Jugut dhe SHBA-ve, të cilat janë duke u zhvilluar prej pak kohësh, si çdo vit.

Veriu i ka denoncuar këto ushtrime si një përgatitje për luftë, ndërkohë që Seuli dhe Uashingtoni thonë se stërvitjet e përvitshme janë të natyrës mbrojtëse.

Më herët, gjatë fundvitit të kaluar, Korea e Veriut ndërmori testimin e tretë bërthamor të saj, pasi kishte lëshuar me sukses një raketë me rreze të gjatë gjatë vitit 2012, veprim për të cilin kritikët thanë se synonte të provonte teknologjinë për një raketë balistike ndërkontinentale.

Të dy veprimet e mëparshme të Veriut janë të ndaluara nga OKB dhe rrjedhimisht janë sanksionuar nga kjo organizatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB