Australi, tragjedi në ajër, 5 të vdekur

22/03/2014 00:00

Pesë persona që kishin planifikuar një hedhje me parashutë kanë humbur jetën pasi avioni me të cilin po udhëtonin është rrëzuar në një fushë në Kuinslend, në lindje të Australisë.

Avioni tip “Cessna 206” u përplas me tokën dhe mori flakë menjëherë më pas, fare pak momente pasi ishte ngritur nga pista e një aeroporti në veri të qytetit Brisbejn.

Piloti, dy parashutistë instruktorë dhe dy klientë të tyre mbetën të vdekur, njoftoi policia lokale, sipas të cilës familjarët e viktimave e panë aksidentin nga toka, pasi ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes.

Fluturimi ishte organizuar nga grupi Adrenalin Skydivers Bribe, deklaroi një zëdhënës policor për gazetën “Sydney Morning Herald”, që publikoi edhe foto nga vendi i ngjarjes.

“Morëm një telefonatë nga pista dhe dërguam atje disa ekipe për të mbikëqyrur avionin e rrëzuar. Zjarri u fik në 10 minuta”, deklaroi një zyrtar lokal, përgjegjës për operacionet e kërkim-shpëtimit.

Aeroporti ku ndodhi aksidenti ndodhet rreth 50 kilometra në veri të Brisbejnit dhe u mbyll pas ngjarjes. Autoritetet thonë se ai ka vetëm pista me bar dhe shërben vetëm për ulje helikopterësh dhe mjete të lehta fluturuese.

Top Channel