
Forcat speciale të policisë në Venezuelë janë përleshur me demonstruesit anti-qeveritarë, të cilët ishin duke protestuar kundër arrestimit të dy kryebashkiakëve opozitarë.
Qindra demonstrues në Karakas, kryeqytetin venezuelian, gjuajtën me gurë dhe shkopinj ndaj policisë, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse.
Përplasjet erdhën një ditë pasi Daniel Ceballos dhe Enzo Scarano u burgosën për shkak të rolit të tyre, sipas akuzave, në trazirat e fundit prej shumë javësh, që kanë lënë të paktën 31 viktima.
Qeveria e presidentit Nicolas Maduro është vënë në shënjestër të protestave thuajse të përditshme për shkak të përqindjes së lartë të vrasjeve, inflacionit që po kap shifra tepër të larta dhe mungesës së ushqimeve bazë.
Ndërkaq, Maduro akuzon për dhunën “grupet fashiste”. Një student, lider i protestës së të enjtes, tha se dy kryebashkiakët ishin “viktima të persekucionit, abuzimit dhe arrestimeve të paligjshme”.
Një tjetër demonstrues tha se ata ishin duke marshuar me synimin për të “rindërtuar demokracinë” në Venezuelë. “Sot, të rinjtë kanë vendosur të jenë të gatshëm të japin edhe jetët e tyre për kombin, për lirinë”, tha njëri prej tyre.
Ministri i Brendshëm, Miguel Rodriguez, u përpoq të distanconte qeverinë nga arrestimet. “Është e rëndësishme që venezuelianët të kuptojnë se organet shtetërore, në këtë rast jo qeveria, punojnë dhe veprojnë për të mbrojtur të drejtat e mazhorancës dhe jo të drejtat e një grupi të vogël, i cili kërkon përmes maskimit me të drejtën për të protestuar, të dëmtojnë jetët e venezuelianëve”, tha ai në një konferencë televizive për shtyp.
Të arrestuarit, Ceballos dhe Scarano, ishin kryebashkiakë respektivisht të San Cristobal-it, pranë kufirit me Kolumbinë, dhe të San Diego-s, ku vala e protestave ka qenë më e madhe dhe ka nisur kohë më parë. Scarano u dënua me 10 muaj e 15 ditë burgim, për shkak se dështoi të mos lejonte protestuesit nga ngritja e bllokadave në rrugë, në qytetin verior të shtetit të Carabobo-s.
Top Channel