Turqia bllokon aksesin në “Twitter”

21/03/2014 00:00

Përdoruesit e Twitter-it në Turqi raportojnë se faqja e rrjetit social është bllokuar. Disa prej tyre janë përpjekur të hapin faqen e internetit “twitter.com”, por menjëherë janë drejtuar te një deklaratë e bërë nga rregullatori i telekomunikacionit të Turqisë.

Në të citohet një urdhër gjykate që detyron aplikimin e “masave të mbrojtjes” ndaj këtij uebsajti. Njoftimi vjen pak kohë pasi kryeministri Recep Tayyip Erdogan u angazhua “të mbyllë Twitter”, pas akuzave shkatërrimtare për korrupsion ndaj qarkut të bashkëpunëtorëve të tij.

Edhe korrespondenti i BBC-së në Stamboll raporton se nuk mundet të ketë akses në këtë rrjet social.

“Nuk më intereson se çfarë do të thotë komuniteti ndërkombëtar. Të gjithë do të njohin tani e tutje forcën e pushtetit të Republikës së Turqisë”, kishte thënë Erdogan gjatë ditës së enjte.

Ai foli pak pasi disa përdorues kishin publikuar dokumente që, siç raportohet, jepnin prova mbi korrupsionin që rrethon kryeministrin, një akuzë që ai vet e ka mohuar.

Zyra e tij njoftoi se Twitter nuk iu përgjigj vendimeve të gjykatës në Turqi, për të hequr disa linqe, gjë që bëri që Ankaraja zyrtare të vepronte. Drejtuesit e Twitter ende nuk kanë komentuar publikisht mbi këtë çështje.

Në Turqi, janë rreth 10 milionë përdorues aktivë të Twitter. Në 2010-n, vendi hoqi ndalimin e përdorimit të Youtube, dy vite pasi kishte bllokuar aksesin në këtë uebsajt, për shkak të disa videove ofenduese ndaj themeluesit të këtij vendi, Mustafa Kemal Ataturk.

Top Channel