Tajlandë, zgjedhjet të pavlefshme

21/03/2014 00:00

Gjykata Kushtetuese në Tajlandë ka shpallur të pavlefshme zgjedhjet e përgjithshme të 2 shkurtit, njoftojnë autoritetet lokale.

Zgjedhjet e parakohshme u organizuan nga kryeministrja Yingluck Shinawatra pas protestave masive anti-qeveritare që u zhvilluan në Bangkok.

Partia në pushtet pritej të shpallej fituese, por opozita e bojkotoi procesin dhe protestuesit penguan votimin dhe për rrjedhojë zgjedhjet nuk mund të konsideroheshin të plota.

Votimi ishte anti-kushtetuese sepse nuk u zhvillua në të njëjtën ditë në të gjithë vendin, deklaroi gjykata. Gjithashtu, procesi nuk ishte kushtetuese edhe për faktin se protestuesit kishin bllokuar regjistrimin e kandidatëve.

Gjykata, e cila vendosi për të anuluar zgjedhjet me 6 vota kundër 3, iu përgjigj një mocionit të një juristi që kishte sfiduar zgjedhjet në një sërë pikash. Ende nuk dihet nëse në vend do të mbahen zgjedhje të reja.

Por lideri i protestuesve, Suthep Thaugsuban, ish-zëvendësministër kur opozita ishte në pushtet, deklaroi se një proces i ri do të haste sërish të njëjtat probleme.

“Nëse shpallet një datë e re zgjedhjesh, atëherë do të na duhet të kujdesemi për çdo provincë dhe sërish zgjedhjet nuk do të kenë sukses”, deklaroi ai vonë gjatë së enjtes.

Tajlanda është përfshirë nga protestat anti-qeveritare që në nëntorin 2013. Protestuesit, që janë kryesisht nga zonat urbane dhe klasa e mesme, duan që qeveria e zonjës Shinawatra të zëvendësohet me një këshill popullor.

Top Channel