
Bashkimi Europian ka zgjeruar sanksionet ndaj 12 individëve të tjerë, pas aneksimit nga Rusia të Krimesë, një ish pjesë territoriale e Ukrainës.
Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, tha se çdo hap i mëtejshëm i Rusisë për të destabilizuar Ukrainën do të kishte “pasoja me ndikim të gjerë”.
Njoftimi i BE-së vjen disa orë pasi presidenti Barack Obama shpalli sanksionet të reja të SHBA-ve ndaj Rusisë, për shkak të krizës në Krime.
Krimea është në proces absorbimi në Federatën Ruse, pas referendumit të diskutueshëm në gadishull. Referendumi është përshkruar si i jashtëligjshëm nga Kievi dhe Perëndimi.
Më herët, gjatë javës, BE shpalli ngrirjen e aseteve dhe ndalim-udhëtimin ndaj 21 individëve në Rusi dhe Ukrainë. Në të njëjtën kohë, SHBA urdhëroi sanksione të ngjashme kundër 11 individëve.
Masat e fundit të Uashingtonit shënjestrojnë 20 persona të tjerë të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin, ashtu si dhe banka qendrore e Rusisë “Bank of Rossiya”, të kontrolluar prej aleatëve të tij.
SHBA-Rusi, luftë sanksionesh
Obama: Do të izolojmë Moskën. Rusia kundërpërgjigjet
Presidenti amerikan, Barack Obama, shpalli të tjera sanksione kundër zyrtarëve rusë dhe ndaj bankës qendrore ruse, “Banka Rossiya”, lidhur me krizën në Krime. Shefi i Shtëpisë së Bardhë firmosi një urdhër, që lejon vendosjen e sanksioneve në sektorët e ekonomisë ruse.
“Rusia duhet ta dijë – tha ai, – se përshkallëzimi i mëtejshëm do ta izolojë edhe më tej. Diplomacia mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë vazhdon. Ne nënvizojmë se Rusia ka ende një rrugë të vlefshme, njëra për uljen e tensioneve, dhe një që e bën Rusinë të ndjekë zgjidhje diplomatike me qeverinë e Kievit, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Rusët duhet ta dinë dhe zoti Putin duhet ta kuptojë se ukrainasit nuk duhet të zgjedhin mes Perëndimit dhe Rusisë. Ne duam që ata të vendosin për fatin e tyre dhe të kenë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara, me Rusinë, me Europën, me këdo që ata zgjedhin”, deklaroi Obama.
Një zyrtar amerikan tha se vala e fundit e sanksioneve ka vënë në shënjestër 20 individë, me interesa të lidhura me Krimenë, mes të cilëve njerëz të rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin; Sergei Ivanov, shefin e stafit, biznesmenin e njohur Arkady Rotenberg, si dhe Gennady Timchenko. Këta individë do ta kenë të pamundur të bëjnë transaksione në dollarë, do t’i ngrihet çdo aset në SHBA dhe nuk do të lejohen të bëjnë biznes me këtë vend.
Në Bruksel, udhëheqësit e Bashkimit Europian paralajmëruan se do të shtojnë listën e rusëve, të cilëve do t’u vihen sanksione. Ata thanë se samiti me Rusinë, i planifikuar në Qershor nuk do të zhvillohet.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i tha Parlamentit gjerman se “BE do të jetë gati për të vendosur sanksione kundër Moskës, nëse do të ketë përshkallëzime të tjera nga ana e Rusisë në Ukrainë”. Ajo u shpreh optimiste, se vendet e BE-së do të jenë në gjendje të paraqiten me një zë të unifikuar për krizën në Krime.
Reagon Rusia, 10 VIP-a amerikanë në “listën e zezë”
Në kundërpërgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara, Rusia vendosi sanksionet e saj ndaj 10 zyrtarëve dhe politikanëve amerikanë. Në listën e Ministrisë së Jashtme ruse përfshihen emrat e krerëve të lartë të Kongresit, demokratit Harry Reid, republikanit John Boehner, senatorit republikan John McCain, si dhe ai i Benjamin Rhodes, këshilltarit të presidentit amerikan, Barack Obama, për Sigurinë Kombëtare.
Zëdhënësi i John Boehner, në Twitter, u shpreh krenar që ishte përfshirë në listën e atyre, që janë pozicionuar kundër agresionit të Putin. Po kështu, edhe senatori John McCain shkruajti në Twitter: “Jam krenar, që më vihen sanksione nga Putin, nuk do të rresht asnjëherë përpjekjet dhe dedikimin tim për lirine dhe pavarësinë e Ukrainës, që përfshin edhe Krimenë”.
Ministria e Jashtme ruse nënvizoi se “Rusia e ka përsëritur shpesh, se vendosja e sanksioneve do të ketë një efekt ‘boomerang’. Duke folur përpara presidentit amerikan, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavov i cilësoi sanksionet “të paligjshme dhe të pambështetura në ligjin ndërkombëtar”.
Pas takimit në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon u bëri thirrje palëve të heqin dorë nga veprimet e nxituara dhe provokuese. Ai u shpreh shumë i shqetësuar për situatën aktuale.
Top Channel