Mbretëria e Bashkuar duhet të rrisë praninë e saj në Mali dhe në vendet e
tjera Sahel-Sahariane për të luftuar ekstremizmin, ka deklaruar një
komitet parlamentar.
Komiteti për çështjet e jashtme e ka vënë theksin tek mospërputhja e vizionit të Britanisë së Madhe për një siguri më të lartë në rajonin saharian dhe reagimit “shumë diplomatik” të saj.
Komiteti deklaroi se xhihadistët kanë hedhur rrënjë në rajonin në fjalë, që tashmë është fronti i ri i ekstremizmit të dhunshëm. Nga ana e saj, qeveria mirëpriti raportin dhe deklaroi se po punon në rajonin në fjalë.
Zona e Sahelit shtrihet në pjesën jugore të Shkretëtirës së Saharasë dhe rajoni perëndimor i saj Sahel-Sahara përfshin vende si Mali dhe Mauritania.
Komiteti deklaroi se nevojitet një aksion konkret ndërkombëtar për të frenuar motivet e destabilitetit dhe për të ndaluar përhapjen më tej të “epidemisë së ekstremizmit”.
Sipas komitetit, ekstremistët kanë marrë nën kontroll shtetet me ekonomi të dobët dhe një siguri të cënuar dhe synojnë të korruptojnë elitat politike të tyre.
Kryetari i komitetit, Sir Richard Ottaway deklaroi se Britania duhet të ndihmojë në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë së këtyre vendeve.
“Tërheqja e trupave nga Afganistani përbën një mundësi për të rritur numrin e misioneve trajnuese britanike në rajon”, deklaroi Ottaway.
Top Channel