Brazil, mega-hetim për korrupsion

21/03/2014 00:00

Autoritetet në Brazil kanë deklaruar se po zhvillojnë një hetim të gjerë për korrupsion dhe fiksim çmimesh për 18 kompani, përfshirë ato perëndimore si gjermania “Siemens” apo francezja “Alstom”.

Autoritetet akuzojnë firmat se janë pjesë e një karteli të fiksimit të çmimeve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e metrove dhe rrjeteve hekurudhore, përfshirë ato në Rio de Zhaneiro dhe Sao Paolo.

Nga ana e tyre kompanitë kanë reaguar, me “Siemens” që ka thënë se nuk do të tolerojë asnjë veprim ilegal dhe “Alstom” që ka bërë me dije se i ka marrë akuzat shumë seriozisht.

Gjykata Administrative e Brazilit deklaroi se gjithësej janë 18 kompanitë e përfshira në kartelin e manipulimeve, të angazhuara në 15 projekte me vlerë 4 miliardë dollarë në total.

Kontratat e nënshkruara kanë të bëjnë me projekte në infrastrukturë në qytetet kryesore të Brazilit, si në Rio de Zhaneiro, Sao Paulo, Minas Gerais dhe Rio Grande do Sul. Gjykata Administrative është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë të Brazilit, përgjegjëse për hetimin e rasteve të korrupsionit.

“Gjykata kishte nisur proçedimin administrativ për të hetuar veprimet e kartelit në kontratat për menaxhimin e metrove dhe rrjeteve hekurudhore për periudhën 1998-2013”, thuhet në një deklaratë.

“Të paktën 18 kompani dhe 109 punonjës të tyre akuzohen për përfshirje në aktivitete ilegale”, vijon më tej njoftimi i publikuar online.

Sipas gjykatës, kompanitë dyshohet se kanë hartuar një sërë strategjish që bien ndesh me ligjet e konkurrencës, si paracaktimi i ofertave për tender dhe se u kanë dhënë ryshfet shumë zyrtarëve për t’i siguruar kontratat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB