Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar marrëveshjen për
marrëdhënie më të ngushta me Ukrainën. Lajmin e bën të ditur BBC në
edicionin e saj online.
Marrëveshja vjen në formë mbështetjeje pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Ajo u firmos nga kryeministri ukrainas, Arseny Yatsenyuk dhe zyrtarët evropianë.
Marrëveshja e Asociimit parashikon dhënien e mbështetjes politike dhe ekonomike për lidershipin e përkohshëm të Kievit.
Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy deklaroi në një mesazh në Twitter se: “Firmosja e Marrëveshjes së Asociimit BE-Ukrainë simbolizon rëndësinë e marrëdhënieve tona që do të zhvillohen më tej”.
Ndërkohë, po të premten, Dhoma e Lartë e parlamentit rus aprovoi unanimisht traktatin e bashkimit të Krimesë me Federatën Ruse.
Nënshkrimi i marrëveshjes me BE-në ishte refuzuar në muajt e fundit nga presidenti tashmë i rrëzuar i Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili zgjodhi të bënte marrëveshje me Rusinë.
Ky veprim i tij shkaktoi valën e protestave që përfshinë Ukrainën, të cilat sollën ndërrimin e pushtetit dhe lirimin nga burgu të lideres së opozitës, Yulia Tymoshenko.
Aktualisht vendi qeveriset nga kryeministri i përkohshëm Yatsenyuk, ndërsa posti i presidentit mbahet nga Olexander Turchynov, njëkohësisht kryetar i Parlamentit.
Nga ana tjetër, situata në Ukrainë solli shkëputjen e gadishullit të Krimesë dhe bashkimin e saj me Fedratën Ruse, tashmë një fakt mëse i kryer.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se vendi i tij nuk ka ndërmend të tërhiqet nga Krimea, “e cila ka qenë gjithmonë e Rusisë”, veprim ky që ka çuar në një luftë sanksionesh mes Moskës dhe Perëndimit.
Top Channel