
Kërkimet për avionin e zhdukur të fluturimit 370 të “Malaysia Airlines” kanë rifilluar gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes, në pjesën më jugore të Oqeanit Indian, duke përdorur avionë zbulues të distancave të largëta për të gjetur mbetjet e mundshme të tij në një nga pjesët më të largëta të Tokës.
Avionë nga Australia, Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar prezencën në një zonë prej rreth 1500 miljesh në jug-perëndim të Perth-it, ku dy objekte u kapën nga sateliti dhe u përshkruan si pjesë të mundshme të avionit të pasagjerëve, sipas Autoritetit të Sigurisë Detare të Australisë.
Duke ditur distancën nga Australia deri në vendin ku u gjetën objektet nga sateliti tregtar, avionet do të duhet të fluturojnë për vetëm 2 ose 3 orë në zonën e kërkimit, përpara se ta kenë të nevojshme të rikthehen e të rinisen sërish, bëri të ditur Autoriteti i Sigurisë Detare.
Së bashku me avionin, në zonën e kërkimit janë nisur edhe një sërë anijesh tregtare, të cilët do t’i bashkohen një anije gjigante mallrash nga Norvegjia, që u dërgua në zonën në fjalë ditën e enjte, pas kërkesës së Australisë.
Detarët në bordin e anijes norvegjeze punuan edhe gjatë natës për kërkimet e objekteve, tha Erik Gierchsky, një zëdhënës i Shoqatës Norvegjeze të Pronarëve të Anijeve.
“Të gjithë njerëzit janë në kuvertë për të vazhduar kërkimet, – tha ai për CNN. – Ata po përdorin ndriçues dhe dylbi”. Autoritetet kishin shpresuar për rezultate më të mira, pasi moti jo i kthjellët pengoi kërkimet e së enjtes për mbetjet e fotografuara të dielën nga një satelit tregtar.
Përpara se të pezullonin kërkimet gjatë natës së të enjtes, autoritetet paralajmëruan se objektet mund të jenë ndoshta edhe pjesë të tjera, jo rrënoja të avionit, si për shembull konteinerë anijeje që mund të kenë rënë nga ndonjë anije tregtare që ka kaluar aty.
Por, ata thanë se këto përfaqësojnë provat më të mira deri më tani, gjatë procesit të kërkimeve për avionin e zhdukur, që humbi nga gjurmimi i radarëve 13 ditë më parë, me 239 pasagjerë në bord përveç ekuipazhit, teksa ishte nisur nga Kuala Lumpur drejt Pekinit.
Top Channel