Nëntë persona janë vrarë në Kabul të Afganistanit pasi persona të armatosur kanë bastisur një hotel dhe kanë qëlluar me armë zjarri ndaj të pranishëmve.
Një zëdhënës qeveritar tha për BBC se dy fëmijë dhe katër të huaj janë mes të vdekurve, bashkë me gjashtë persona të tjerë.
Më pas ndërhynë forcat speciale që vranë personat e armatosur që hynë në “Serena Hotel”, që zakonisht është i mbushur me të huaj. Më vonë guerrilasit talebanë morën përsipër përgjegjësinë e sulmit.
Agresorët, që thuhet se ishin adoleshentë, hynë në hotel me pistoletat e fshehura tek çorapet e tyre. Ata mbërritën rreth orës 18 të së enjtes me orën lokale duke u thënë rojeve të sigurisë se kishin vajtur për të marrë pjesë në një panair ushqimi.
Por tre orë më vonë ata filluan të qëllonin si të çmendur, pasi ishin fshehur për disa orë në një prej tualeteve të hotelit.
Mes viktimave janë katër gra, tre burra dhe dy fëmijë. Dy prej grave ishin nga Zelanda e Re dhe Kanadaja, ndërsa dy nga burrat nga India dhe Pakistani. Të tjerët ishin afganë.
Një deputet afgan, Habib Afghan, është mes personave të plagosur, pasi plumbat e kanë zënë në fytyrë, stomak dhe në këmbë.
Top Channel