Sanksione shtesë ndaj Rusisë

20/03/2014 00:00

Udhëheqësit e vendeve Perëndimore u mblodhën në Bruksel për të diskutuar hapat e mëtejshme ndaj Rusisë për krizën në Ukrainë.

Para nisjes së takimit, Presidenti amerikan, Barack Obama njoftoi zgjerimin e sanksioneve të Uashingtonit kundrejt zyrtarëve të Moskës. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se ka firmosur një urdhër ekzekutiv që vendos të tjera sanksione ekonomike ndaj një sërë zyrtarësh të lartë dhe një banke ruse.

Ndërkohë Gjermania është gati t’u bashkohet këtyre sanksioneve nëse situata në Ukrainë përshkallëzohet. Kjo të paktën ishte deklarata e kancelares Merkel para nisjes së takimit të Brukselit.

Por pavarësisht sanksioneve dhe kërcënimeve ekonomike të Perëndimit, Rusia nuk ka ndërmend të tërhiqet në rrugën e saj drejt aneksimin të Krimesë, përkundrazi, i ka përshkallëzuar veprimet e saj duke shtuar dozën e shqetësimit, sidomos në radhët e vendeve fqinje.

Para syve të trupave ukrainase, forcat paraushtarake pro-ruse shpërthyen dyert e komandës së marinës ukrainase ne gadishullin rusisht-folës, ku ngritën flamurin e Moskes e ndryshuan masat e sigurisë. Nga Uashingtoni, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen e cilësoi agresionin rus një thirrje për zgjim.

“Ky është kërcënimi më i rëndë ndaj sigurisë dhe stabilitetit europian që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Rusia po tregohet një vend arrogant. NATO-ja është e hapur për dialog, por siguria e vendeve anëtare mbetet parësore. Aleanca e Atlantikut Verior nuk është lëkundur dhe nuk do të lëkundet”, tha Rasmussen.

Këtë mesazh, thotë Zëri i Amerikës, përsëriti edhe zevendespresidenti Joe Biden në Lituani para fqinjëve të tronditur në rajonin e Balltikut. Sulmi ndaj Moskës vazhdoi në planin diplomatik me deklaratat e ashpra të ambasadores amerikane në OKB, Samantha Poëer e cila e akuzoi hapur Rusinë se po riharton me forcë kufijtë.

Kërcënimet e Perëndimit kanë rënë në vesh të shurdhër. Pas votës së marrë në parlament, Gjykata Kushtetuese e Rusisë miratoi ligjin që i jep Presidentit Putin autoritetin të përfundojë aktet e fundit të aneksimit të Krimesë, ndërsa ligjvënësit i cilësuan sanksionet një gjest të vogël hakmarrjeje, i cili nuk do të arrijë të përmbushë asgjë.

Top Channel