Egjipt, 3 vjet nga referendumi

20/03/2014 00:00

Të paktën 1 person ka mbetur i vrarë në Egjipt, pas përplasjeve të fundit mes forcave të sigurisë dhe protestuesve, të cilët kishin dalë në demonstrata kundër rrëzimit të presidentit Mohammed Morsi.

Protestuesit kishin bërë thirrje për demonstrata mbarëkombëtare për të shënuar përvjetorin e trëtë të referendumit të parë kushtetues, pas revolucionit të vitit 2011.

Një adoleshent raportohet i vdekur gjatë së mërkurës, në përplasjet në jug të vendit, bëri të ditur një zyrtar i ministrisë.

“Amr Aly Mohamed u vra nga një e shtënë me armë, gjatë përplasjeve mes policisë dhe protestuesve, tha Ahmed Anwar, zv/kreu i Ministrisë së Shëndetësisë për qytetin e Beni Suef.

Protestat u mbajtën në një sërë universitetesh anembanë vendit, teksa studentët kundërshtuan rrëzimin nga ushtria të Morsi-t gjatë korrikut të vitit të kaluar, si dhe bënë thirrje për demonstrata për të përkujtuar referendumin e 2011-s, që u cilësua si fillimi i një çarje mes radhëve të tyre.

Re të shumta gazi lotsjellës u panë rreth e rrotull Universitetit të Kajros, teksa policia përpiqej të shpërndante studentët e mbledhur, të cilët mund të kenë qenë rreth 2000 vetë, siç citon agjencia e lajmeve “AFP”.

Studentët u kundërpërgjigjën duke hedhur gurë dhe duke ndezur fishekzjarre, tha një korrespondent i AFP-së.

Top Channel