SHBA, shkatërrohet rrjeti i pedofilëve, 14 arrestime

19/03/2014 00:00

Zyrtarë amerikanë kanë arritur me sukses të shkatërrojnë një rrjet të madh ndërkombëtar të pornografisë online të fëmijëve, në një nga operacionet më të mëdha të këtij lloji të zhvilluar ndonjëherë, bëjnë të ditur autoritetet amerikane.

Sipas tyre, ishin 14 persona që drejtonin një faqe pornografike fëmijësh sekrete dhe vetëm për anëtarët, të cilët janë arrestuar nga amerikanët. Rreth 250 fëmijë, shumica djem nga SHBA-të, shfaqen në pamjet e këtij uebsajti.

Faqja e internetit kishte më shumë se 27 mijë të abonuar, shumica e të cilëve janë të akuzuar për çështje kriminale individuale.

“Kurrë më parë në historinë e kësaj agjencie, nuk kemi identifikuar dhe lokalizuar kaq shumë minorenë viktima, në vazhdën e një hetimi të vetëm për shfrytëzimin e fëmijëve”, tha zv/drejtori i Emigracionit dhe Doganave (ICE), Daniel Ragsdale, për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

ICE ka bashkëpunuar me zyrtarë të Sigurisë Kombëtare dhe agjenci të tjera për të shkatërruar rrjetin në fjalë, që zotëronin një uebsajt për të shpërndarë video të djemve të joshur nga rrjetet sociale, drejt ofrimit të materialeve me përmbajtje seksuale, shpesh herë edhe si meshkuj që pozonin si femra.

Mosha e fëmijëve varion nga 3 deri në 17 vjeç, thonë zyrtarët, si dhe vijnë nga 39 shtete të Amerikës. 23 prej 251 viktimave ishin identifikuar në Britani, Kanada, Zelandën e Re, Australi dhe Belgjikë.

Mes të dyshuarve të arrestuar është dhe Jonathan Johnson, 27 vjeç, administrator i akuzuar i uebsajtit të pornografisë së të miturve, që operonte në periferi të shtetit amerikan të Louisiana-s. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me 20 vjet heqje lirie, bëjnë të ditur zyrtarët.

Top Channel