
Gjykata më e lartë e Apelit në Itali ka lënë në fuqi vendimin për pezullimin 2-vjeçar nga postet publike të dhënë për ish-kryeministrin Silvio Berlusconi, pasi u shpall fajtor për evazion fiskal.
Pezullimi nënkupton se Berlusconi nuk do të mund të kandidojë në zgjedhjet e Parlamentit Europian në muajin Maj.
Pas vendimit të vitit të kaluar, atij iu hoq edhe e drejta e pjesëmarrjes në Senat, si dhe u dënua me 4 vjet burgim, dënim ky që pritet të shndërrohet në 1 vit shërbime ndaj komunitetit.
Avokati mbrojtës i Berlusconi-t, Niccolo Ghedini, tha se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer” nga vendimi i Gjykatës së Kasacionit, ditën e martë, në Itali.
Mariastella Gelmini, një figurë e lartë e partisë “Forza Italia” të Berlusconi-t, tha se vendimi ishte “aspak normal dhe i padrejtë”.
“Ekziston një paragjykim ideologjik kundër Bersluconi-t, që shkatërron të drejtat për vetëmbrojtje”, tha ish-ministrja e Edukimit.
Berlusconi, 77 vjeç, është përballur me një sërë çështjesh gjyqësore, por vendimi për ta dënuar për evazion fiskal, i cili u la në fuqi Gushtin e vitit të kaluar, ishte dënimi i parë përfundimtar për të. Ai u shpall fajtor për shkak të marrëveshjeve që firma e tij “Mediaset” kishte bërë për të siguruar të drejtat e autorit të filmave amerikanë.
Vendimi pasues për pezullimin 2-vjeçar nga mbajtja e një posti publik u caktua më pas nga një gjykatë e Milanos, në Tetor. Qershorin e kaluar, Berlusconi u shpall fajtor gjithashtu për dhënien e pagesës për kryerje marrëdhëniesh seksuale me një prostitutë minorene, si dhe për abuzimin me pushtetin.
Ai u dënua me 7 vjet burgim dhe u pezullua nga mbajtja e çdo posti publik. Gjithsesi, ai është ende i lirë, në pritje të përfundimit të proceseve të apelimit. Në rastin e fundit kundër tij, Berlusconi iu drejtua gjyqit në Napoli, muajin e kaluar, për akuzën e ryshfetit ndaj një senatori, në mënyrë që t’i bashkohej partisë së tij në vitin 2006. Megjithatë, ai i mohon këto akuza.
Pavarësisht dënimeve që merr nga gjykatat dhe betejat e pafundme ligjore, Berlusconi ende mbetet një forcë influencuese në politikën italiane.
Top Channel